Arbëri

Ferizaj nis vaksinimin e qenve për parandalimin e sëmundjes së tërbimit

Qytetarët e Komunës së Ferizajt e kanë mundësinë që t’i vaksinojnë qentë e tyre kundër sëmundjes së Tërbimit (Rabies).

Aktiviteti do të nisë këtë të shtunë dhe do të përfundojë pas dhjetë ditësh. Komuna paraprakisht në gjithë territorin e vet ka identifikuar rreth 3 mijë qen me pronarë, ndërkohë kanë angazhuar shtatë ekipe apo ambulanca të veterinës për t’i vaksinuar të gjithë qentë me pronar. Sëmundja e tërbimit është një prej sëmundjeve infektive më të rrezikshme për kafshët dhe njeriun.

Shkaktari është një virus i familjes Rhabdoviridae, i cili si burim kryesor ka kafshët e egra, veçanërisht dhelprat. Andaj, infeksioni nga kafshët e egra mund të kalojë edhe te qentë endacakë dhe në këtë mënyrë të kalojë te qentë shtëpiakë dhe nga këta te njerëzit. Burim Bajrami, drejtor i Bujqësisë dhe Pylltarisë në Komunën e Ferizajt, ka thënë se fatmirësisht ekziston vaksina, e cila mbron kafshët nga kjo sëmundje dhe në këtë mënyrë bëhet më e sigurt edhe bashkëjetesa mes kafshëve dhe njeriut.

Sipas tij, të gjithë pronarët e qenve e kanë mundësinë t’i vaksinojnë ata pa pagesë.

“Komuna kemi ndarë rreth gjashtë mijë euro për këtë projekt të vaksinimit, i cili do të fillojë këtë të shtunë dhe do të përfundojë brenda dhjetë ditësh. Kemi angazhuar shtatë ekipe apo ambulanta të veterinarisë, të cilët në mënyrë profesionale do ta realizojnë këtë projekt”, ka thënë Bajrami. Ai ka shtuar se për secilin fshat do të vendosen lajmërimet për vaksinim të qenve.

Në anën tjetër, edhe qytetarët e kanë mirëpritur këtë projekt, por kanë dhënë vërejtje për disa pronarë, të cilët i mbajnë qentë në shtëpi. Granit Gashi, nga rrethina e Ferizajt, ka thënë se njëherësh student i veterinës, ka thënë se vaksinimi duhet të bëhet në moshë të re te kafshët në mënyrë që të ngrihet imuniteti dhe të parandalohen sëmundjet infektive.

“Vaksinimi i qenve është i domosdoshëm për jetëgjatësinë e tyre. Ndërkaq, virozat e përhapura në vendin tonë ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e tyre, sidomos tek ata që kanë imunitet të dobët. Gjatë kohës së fundit është bërë një dukuri, derisa qytetarët po adaptojnë kafshë për t’i shpëtuar ata nga rruga. Me këtë rast është e domosdoshme që para se t’i dërgojmë në shtëpi, t’ua bëjmë kontrollet e nevojshme dhe vaksinimin, sepse disa viruse mund të barten te njeriu”, ka thënë Gashi.

Ndërkohë edhe zyra për informim në këtë komunë ka njoftuar për këtë aktivitet.

“Për ta parandaluar përhapjen e kësaj sëmundjeje dhe për të mbrojtur shëndetin e qenve dhe njerëzve, Drejtoria e Bujqësisë dhe Pylltarisë edhe sivjet do të bëjë vaksinimin e qenve me pronar kundër sëmundjes së tërbimit. Ky projekt do të realizohet nga veterinerë të licencuar në çdo fshat dhe lagje në orare të caktuara, për të cilat do të njoftoheni paraprakisht me anë të njoftimeve”, thuhet në njoftimin e Komunës.

Sipas tyre, vaksinimi fillon të shtunën, më darën 16.05.2020. “Për shkak që ndodhemi në një gjendje pandemie, luten të gjithë qytetarët që do të paraqiten për vaksinimin e qenve t’i respektojnë masat mbrojtëse, siç janë mbajtja e distancës sociale dhe përdorimi i dorëzave dhe maskës”, thuhet në fund të njoftimit.