Arbëri

Fushë-Kosova beson se me vendosjen e kamerave do të rritet siguria e qytetarëve

Marrë nga faqja e Komunës

Zyrtarët komunalë të Fushë-Kosovës shpresojnë se me realizimin e projektit për vendosjen e kamerave në qytet do ta rrisin sigurinë e qytetarëve të kësaj komune dhe po ashtu do të ndikojnë në parandalimin e veprave penale. Sipas tyre, për shkak të frekuentimit të madh të Fushë-Kosovës edhe nga komuna tjera, identifikimi i kryesëve të veprave penale ka qenë sfida më e madhe. Në një njoftim të kësaj komune thuhet se ky projekt që ka filluar të realizohet, do t’u ndihmojë edhe hetuesve policorë për identifikimin e kryesëve të veprave penale.

“Realizimi i projektit ‘Vendosja e Kamerave të Sigurisë në Qytet’ garanton më shumë siguri për jetën, pronën dhe qytetarët të cilët banojnë apo kalojnë në zonën e Fushë-Kosovës”, thuhet në njoftim.

“Vendosja e kamerave të sigurisë në qytetin e Fushë-Kosovës ofron më shumë siguri për qytetarët dhe e njëjta ndihmon në parandalimin e veprave penale dhe kundërvajtjeve, meqë në zonën e qytetit të Fushë-Kosovës kemi frekuentim të madh të qytetarëve, lëvizja e tyre nga rajonet tjera të Kosovës dhe më gjerë në Fushë-Kosovë, zona industriale, autostrada dhe rruga magjistrale që lidhë shumë qytete të Kosovës me kryeqytetin ka bërë që ofrimi i sigurisë, përkatësisht parandalimi dhe identifikimi i kryerësve të veprave penale të jetë sfida më e madhe”.

Vendosja e kamerave të sigurisë në qytetin e Fushë-Kosovës, sipas komunarëve, përveç ofrimit të sigurisë për qytetarët po ashtu, hetuesve policorë u ndihmon në zbulueshmërinë e veprave penale, përkatësisht identifikimin e personave të dyshuar - kryerësve të veprave penale.