Arbëri

Treva e Rugovës edhe së paku 3-4 vjet pa trajtim të ujërave të zeza

Në mars të vitit 2017 komuna kishte prezantuar publikisht një studim të fizibilitetit, i bërë nga inxhinierë italianë të provincës autonome Trento, për kanalizim dhe trajtimin e ujërave të zeza në trevën e Rugovë, si dhe për fshatrat e Lugut të Trestenikut dhe ato të Podgurit, me idenë që me ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza të mbrohet Lumëbardhi dhe Drini i Bardhë që nga burimi i tyre.

Këta dy lumenj konsiderohen nga komuna si pasuri kryesore e Pejës, e të cilët janë duke u ndotur pikërisht nga ujërat e zeza. Kjo ndotje do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme, shkruan KOHA.

Lumëbardhi do të sjellë në Pejë ujërat e zeza të Rugovës, kurse bashkë me Drinin e Bardhë, të dy këta lumenj nuk do të dalin të pastër nga territori i komunës së Pejës, siç synon komuna, pasi për realizmin e këtyre dy projekteve komuna është shumë larg. Si arsyetim pohohet nga komuna mungesa e milionave që nevojiten, megjithëse në mars të vitit 2017, kur ishin publikuar këto projekte, komuna kishte pohuar se planifikon të nisë realizimin e këtyre projekteve nga viti 2018, gjithnjë duke thënë “nëse gjen donator për financimin e tyre”.

E financues tash e tri vjet ende nuk ka gjetur komuna për këto projekte, e as nuk ka ndarë vet ndonjë cent për ndonjërin prej këtyre projekteve. Synimi i komunës janë fondet e Bashkimit Evropian për mbrojtje të mjedisit.

“Ekspertët i bëjnë hulumtimet e terrenit dhe raportin e te gjeturave nga hulumtimi. Në fazën e dytë përgatitet projekt-propozimi dhe projekti zbatues dhe pritet momenti kur Bashkimi Evropian del me thirrje për projekte dhe kur të aplikohet janë edhe disa muaj, ndoshta edhe vite deri sa të aprovohet. Pasi të aprovohet, fillojnë procedurat për implementim, të cilat zgjasin sepse duhet të zhvillohen edhe procedurat e prokurimit. Për momentin jemi në fazën që është përgatitur projekti. Pak a shumë, edhe 3 apo 4 vjet s’ka gjë për Rugovë e Lug të Trestenikut”, tregon zëdhënësi i Komunës ë Pejës, Engelbert Zefaj, procesin, si dhe fazën në të cilën gjendet aktualisht komuna me këto projekte të publikuara para tri vitesh nga kryetari i Komunës, Gazmend Muhaxheri në një tubim publik. E për në fondet e BE-së për këto projekte, siç thotë Zefaj, do të aplikojnë ekspertë italianë, pasi komuna i ka angazhuar ata si ekspertë. “Ata aplikojnë në emër të komunës sepse Komuna e Pejës nuk ka ekspertë të këtyre çështjeve, thithjen e investimeve kapitale nga fondet e Evropës”, thotë Zefaj.

Sidomos për Trevën e Rugovës, që konsiderohet nga komuna aseti kryesor i zhvillimit të turizmit në Pejë, mungesa e kanalizimit dhe impiantit për trajtimin e ujërave të zeza, është edhe më problematike. Treva e Rugovës, e cila përbën gjysmën e territorit të gjithë komunës së Pejës, ende është pa kanalizime dhe pa impiante dhe të gjitha ujërat e zeza të 14 fshatrave derdhen të lira në natyrë, në Lumëbardh, në ndonjë gropë septike, që rrallë kush e ka nga objektet hoteliere dhe shtëpitë private, dhe ato ujëra të zeza përfundojnë në ujërat nëntokësore dhe të gjitha në një formë apo tjetrën bashkë po ndotin Lumëbardhin në tërë rrjedhën e tij në Rugovë.

“Me të vërtetë mungesa e kanalizimit në fshatrat e Rugovës paraqet problem serioz. Të gjitha kanalizimet ekzistuese derdhen në Lumëbardhë, mu për shkak të mungesës se një kanalizimi të rregullt dhe një impianti që do t’i trajtonte ujerat e zeza”, thotë Flamur Rexhbogaj, kryetar i Bashkësisë territoriale “Rugova 2”, që mbulon shtatë fshatrat e epërme të Rugovës. Në vitin 2017 kur komuna ka publikuar studimet e fizibilitetit për kanalizime dhe impiante për projektin e trevës së Rugovës dhe atë për Podgur e Lug të Trestenikut, ka qenë vit zgjedhor i zgjedhjeve lokale. Dhe publikim e këtyre projekteve në një tubim me qytetarë, sidomos atë për tervën e Rugovës, Rexhbogaj ka nisur të dyshojë se paska qenë vetëm një lloj fushate para fushate për vota, pasi votat e rugovasve, gjithnjë kanë pasur ndikim të madh në rezultatin zgjedhor për kryetar të komunës. “Po i bie se paska qenë veç fushate për vota të Rugovës, se gjithë ka qenë ashtu. Por edhe këtë vit dhe duhet të ndryshojë diçka, besoj. Se veç i matin, e me i ndërtuar jo. S’ke çka u bënë. I kanë marre votat tash një herë...”, flet edhe më dëshpërim Rexhbogaj, që ende nuk ka nisur ai projekt në këtë trevë, por edhe prapa këtij dëshpërimi qëron edhe një pikëpyetje e madhe nëse treva e Rugovës “kanalizon” votat serish në të njëjtë “impiant”.

E pavarësisht nevojës së madhe që ka kjo trevë për trajtimin e ujërave të zeza, për Agron Nikçin, kryetar i Bashkësisë Territoriale “Rugova 1”, që mbulon shtatë fshatrat e poshtme të Rugovës, Peja do ta ketë edhe ma keq nëse Rugova nuk i trajton ujërat e zeza.

“Ne mbesin paq këndej, se të gjitha ujërat e zeza të Rugovës ju shkojnë atyre poshtë”, shprehet paksa me sarkazëm Nikçi, për mungesën e investimeve në kanalizime dhe impiante në Rugovë.

Megjithatë, Nikçi nuk është edhe aq ithtar i ndërtimit të impianteve në Rugovë, pasi zgjedhje më të pastër për mjedisin dhe Lumëbardhin në Rugovë ai e sheh me ndërtimin e një rrjeti të kanalizimit, në të cilin do të kyçeshin të gjitha fshatrat dhe pastaj gypi kryesor të binte në Pejë dhe të kyçej në gypin kryesor të kanalizimit në qytet, që qon ujërat e zeza në impiantin që është duke u ndërtuar jashtë qytetit, në zonën kadastrale Gorazhdevc.

Në këtë mënyrë, sipas Nikçit, ishte zgjidhur edhe problemi i ndotjes së mundshme të ujërave nëntokësor, të lumit dhe të mjedisit në Rugovë dhe kishte pas një kosto më të vogël. Saktësisht ende nuk dihet vlera e këtyre dy projekteve, por sipas parallogarive të bëra në bazë të studimeve të fizibilitetit, kalkulohet se të dy projektet do te kushtonin rreth 9 milionë euro.

“Ne e kemi bë studimin e fizibilitetit dhe ka mbet në sirtarë. Na duhet afër 9 milionë euro për të dy projektet. Kemi shpresuar mos qeveria në shkuarje do të ndihmonte diçka. Por i ka pas të lira vetëm 29 milionë euro për projekte kapitale për me i shpërnda për gjitha komunat e Kosovës. Me na i pas nda këto 9 milionë euro, besoj që kishin kryer punë për këto dy projekte”, thotë drejtori komunal i Financave, Jeton Abazaj.

Projekti për trajtimin ujërave të zeza të Rugovës, dhe ai i Lugut të Trestenikut, në të cilin përfshihen edhe fshatrat e Podgurit, nuk kanë lidhje e as qasje në projektin 23 milionësh për trajtimin e ujërave të zeza të 65 për qind të territorit të kësaj komune. Ky projekt që është duke u realizuar nga viti i kaluar, e i cili parasheh ndërtimin e fabrikës për trajtimin e ujërave të zeza afër fshatit Gorazhdec, rehabilitimin e rrjetit ekzistues dhe kolektorit të ujërave të zeza dhe ndërtimin e kolektorit të ri për kyçje në fabrikën e trajtimit të ujërave të zeza, financues janë qeveria gjermane me 9 milionë euro, qeveria zvicerane me 7.6 milionë euro, Komuna e Pejës me tre milionë euro, dhe pjesa e mbetur mbulohet nga Qeveria e Kosovës.

Ky projekt, pritet të përfundojë më së largu në pranverën e ardhshme dhe lë jashtë edhe 14 fshatrat e Lugut të Baranit, të cilat nuk mund kyçen në asnjërin prej këtyre kanalizimeve tjera që planifikohen të ndërtohen, për shkak të nivelit më të ulët që kanë. Në Lugun e Baranit ende nuk është bërë as studimi i fizibilitetit, që do të ishte si bazë për hartimin e projektit të mundshëm për trajtimin e ujërave të zeza.