Arbëri

Të burgosurit në Lipjan kanë nisur të marrin gjësende prej familjarëve

Pas dy muajve të izoluar nga koronavirusi, Qendra Korrektuese në Lipjan të premten ka filluar me hapat e parë lehtësues në mënyrë që familjarët të mund t’u sjellin rroba dhe gjëra të tjera elementare të burgosurve. Gjatë kësaj kohe të burgosurit në këtë institucion kanë komunikuar për çdo ditë me familjarët e tyre nëpërmjet platformës online, ashtu që edhe procesi mësimor është zhvilluar në distancë.

Pavarësisht se në këtë institucion janë lehtësuar masat, aty nuk mund të futet askush përveç stafit, që është i obliguar t’i përdorë masat mbrojtëse gjatë kontaktit me të burgosurit. Arif Beqa, drejtor në Qendrën Korrektuese në Lipjan, ka thënë se 60 të burgosur, sa ka gjithsej kjo qendër, i janë gëzuar lehtësimit të masave pasi që familjarët e tyre mund t’u sjellin rroba dhe gjëra të tjera personale sipas disa procedurave. Sipas tij, edhe procesi mësimor po zhvillohet në distancë.

“Në kuadër të planit operativ për Covid-19, Shërbimi Korrektues ka nxjerrë masa lehtësuese për të burgosurit dhe familjarët e tyre të cilët mund t’i sjellin veshmbathje për të dashurit e tyre në këtë qendër. Deri tani kemi pasur masa sikur në gjithë Kosovën duke i ndërprerë vizitat dhe duke i përdorur masat mbrojtëse kundër virusit Covid-19. Po ashtu deri tash janë ndërprerë shumë aktivitete me qëllim të mirë për parandalimin e virusit”, ka thënë Beqa, raporton KOHA.

Sipas tij, nga një familjar mund t’ia sjellë rrobat të burgosurit duke i respektuar disa procedura.

“Në bazë të rekomandimeve nga OBSH-ja dhe Instituti i Shëndetësisë Publike në fillim të përhapjes së virusit Covid-19 është ndërprerë shkollimi i drejtpërdrejtë i të miturve, ndërkohë kemi filluar me mësimin online përmes programit “skype”. Në kuadër të kësaj qendre ekziston edhe një pavijon tjetër ndërkohë komunikimi i familjarëve po zhvillohet përmes telefonit dhe përmes programit “online-skype”. Gjatë gjithë kësaj kohe ne nuk ua kemi ndaluar asnjëherë telefonin, andaj të miturit kanë komunikuar vazhdimisht për çdo ditë me familjarët e tyre”, ka thënë Beqa.

Makfire Halimi, prind nga Magura e Lipjanit, ka thënë se pas lirimit të masave djalit të saj 17-vjeçar ia ka dërguar disa rroba dhe gjëra personale.

“Të premten ia kemi dërguar rrobat, dy palë këpuca dhe disa gjëra të tjera. Gjatë kohës së fundit nuk e kam parë asnjëherë, por vetëm përmes telefonit kemi komunikuar. Djali po thotë se gjithçka është në rregull edhe mësimi po zhvillohet nga distanca.