Arbëri

Rahoveci nis aksionin për mbjelljen e mbi 10 mijë drurëve

Descriptive Text

Komuna e Rahovecit ka nisur aksionin për mbjelljen e mbi 10 mijë drurëve.

Siç njoftohet nga Drejtoria për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, drurë të llojeve të ndryshme do të mbillen në tërë territorin e komunës.

“Një projekt serioz që do t’ia ndryshojë pamjen për të mirë komunës së Rahovecit, ka nisur sot. Komuna e Rahovecit, përkatësisht Drejtoria për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, ka nisur së zbatuari projektin për mbjelljen e drurëve të llojeve të ndryshme, si Rrap, Bli, Catalpa etj, sipas së cilit parashihet mbjellja e mbi 10 mijë drurëve në tërë territorin e komunës sonë”, thuhet në njoftim.

Drejtori i kësaj drejtorie, Rumir Zhuniqi, ka bërë të ditur se përveç mbjelljes, kompania e kontraktuar të ketë për obligim edhe ujitjen e drurëve gjatë muajve të nxehtë (prill-shtator), krasitjen sezonale, spërkatjen për mbrojte nga insektet dëmtues, si dhe zëvendësimin e drurëve që mund të dështojnë për arsye të ndryshme.

“Mbjellja e drunjve, përveçse do ta zbukurojë ambientin tonë, edhe do ta bëj më të pastër, duke i kontribuar mbrojtjes së mjedisit në përgjithësi, prandaj dua të apeloj te të gjithë qytetarët që bashkë me ne t’i ruajnë këto drunjë dhe ta raportojnë këdo që e hasin duke i dëmtuar ato”, ka shkruar ai.