Arbëri

Dyshohet për gabime në testimin e parë të dy personave që u raportua se ishin me COVID-19

Descriptive Text

Gabime dyshohet se janë bërë gjatë testimit më 27 mars të dy personave nga Komuna e Podujevës, që u raportua se ishin infektuar me COVID-19.

Të dy këta pacientë, një 16-vjeçar nga fshati Llapashticë dhe një 58-vjeçare nga Podujeva, pritej t’u nënshtroheshin operacioneve. I pari dyshohej se kishte pësuar aksident me biçikletë dhe duhej t’i nënshtrohej operacionit në Klinikën e Kirurgjisë, ndërsa e dyta për shkak të disa problemeve shëndetësore duhej të operohej në Gjinekologji.

Epidemiologia në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë (QKMF), Bedrie Rama, ka thënë se para operacioneve ata duhej t’i nënshtroheshin testimit për koronavirus. Dhe të dy atë ditë kishin rezultuar pozitivë. Por testimet e mëvonshme kishin rezultuar negativë duke vënë në dyshimin rezultatin e parë.

Deri më 27 mars, në Komunën e Podujevës ishin 9 persona të prekur nga kjo pandemi. Edhe për epidemiologen Rama ky numër nuk ka ndryshuar, pasi, sipas saj, dy personat e fundit nuk kanë qenë fare të prekur me COVID-19 dhe rrjedhimisht nuk mund të përfshihen në statistikat e të infektuarve.

“Më 27 prill janë konfirmuar 2 raste pozitive, por janë përsëritur testet prej Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe kanë ardhur në përfundim se janë negativë të dy rastet”, ka thënë për KOHËN Bedrie Rama.

Kur është pyetur nëse janë bërë gabime në testimin e parë, ajo ka thënë se fakti që janë përsëritur testet tregon se dyshime ka pasur edhe nga vetë IKSHP-ja.

Epidemiologia e QKMF-së ka treguar se katër personat që kanë rezultuar pozitivë më 20 prill janë testuar gjatë ditës së martë dhe nëse rezultojnë negativë, atëherë u bëhet edhe testi tjetër për të konfirmuar nëse janë shëruar plotësisht.

Rasti i parë që ka rezultuar pozitiv me COVID-19 në Komunën e Podujevës është 62-vjeçari nga fshati Dumnicë e Epërme. Ai ka ardhur më 5 mars nga Italia, ndërsa pas 10 ditësh (më 15 mars) pas testimit ka dalë pozitiv. Ai është personi i parë në Kosovë që është shëruar plotësisht nga 27 marsi. Por menjëherë pas tij, të infektuar me këtë virus kanë rezultuar edhe prindi i tij 82-vjeçar (më 17 mars) dhe motra 54-vjeçare nga fshati Bradash (më 18 mars). I pari më 22 mars ka ndërruar jetë në Klinikën Infektive, duke shënuar kështu viktimën e parë në Kosovë nga COVID-19, ndërsa 54-vjeçarja është shëruar më 9 prill. Ndërkohë, më 28 mars, pozitive ka dalë edhe një 31-vjeçare që kishte ardhur nga Italia. Ajo është shëruar pas afro dy javësh.

Rasti i pestë me COVID-19 nga kjo komunë është gjinekologu (1969) nga QKUK-ja, i cili kishte pasur kontakt me një paciente në Klinikë që ishte infektuar me koronavirus. Ndërsa një ditë para se ai të dalë pozitiv, më 15 prill, ai kishte punuar në ordinancën e tij në Podujevë dhe kishte qëndruar për disa orë edhe në familjen e tij në fshatin Pollatë. Tash numri i të infektuarve në Komunën e Podujevës ka shkuar në nëntë dhe katër personat e fundit pozitivë janë raste kontakti me këtë punëtor shëndetësor. Pas tij, të infektuar kanë rezultuar dy familjarë të tij nga fshati Pollatë (prindi 1943 dhe vëllai 1976) dhe dy të tjerë nga Podujeva; njëra infermiere (1983) e QKMF-së, por që atë ditë ka qenë në cilësinë e pacientes së tij, dhe tjetri teknik i farmacisë (1986) i cili punon në një barnatore afër ordinancës private në Podujevë të mjekut të infektuar.

Epidemiologia Bedrie Rama thotë se më 20 prill u është bërë testi 35 personave që kanë pasur kontakt me këto 4 raste, prej tyre personel shëndetësor në QKMF, personal shëndetësor në institucione private dhe familjarë të rasteve dhe pacientë të gjinekologut.

“Të gjithë kanë rezultuar negativë”, ka bërë të ditur Rama.