Arbëri

Rregullimi i sheshit në Pejë mund të shtyhet për dy vjet

Foto: KOHA

Punimet në rindërtimin e sheshit të qytetit të Pejës, që kanë nisur në qershorin e vitit të kaluar, ka shanse të mos gjejnë fundin para vitit 2022.

Largimi i pllakave të mermerta të shtruara në vitin 2011 dhe zëvendësimi me kalldrëm italian, mund të zvarritet për shkak se pranë sheshit janë paraparë ndërtime shumëkatëshe. Për të shmangur dëmtimin e kalldrëmit, komuna thotë se duhen shtyrë punimet, transmeton KOHA.

Rindërtimi i tërë sheshit me rreth tetë mijë metra katrorë hapësirë ishte planifikuar të bëhet në dy faza. Faza e parë, që është duke u realizuar dhe ka vlerë të kontraktuar prej 519 mijë eurosh, parasheh rindërtimin e pjesës qendrore të sheshit, deri te rruga që shkon për në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Kjo fazë është pritur të përfundojë më së largu deri këtë muaj, por për shkak të situatës së pandemisë, punimet në shesh janë ndërprerë pas shpalljes së gjendjes emergjente në vend. Kurse faza e dytë e projektit, që parasheh rindërtimin e pjesën tjetër të sheshit deri në krye të korzos, është dashur të nisë sivjet.

“Për fazën e parë të projektit, operatori është kontraktuar dhe vlera e kontratës për fazën e parë është 519 mijë euro. Kurse, pjesa tjetër e sheshit pranë shtatores ‘Nëna Terezë’ e deri në krye të korzos, mbetet të rindërtohet vitin e ardhshëm. Për rindërtimin e pjesës tjetër të sheshit që ka mbetur për vitin e ardhshëm, do të shpallet prapë tenderi. E kemi ndarë në dy faza ndërtimin e sheshit, për arsye që t’u lëmë qytetarëve hapësirë të lëvizjes e të mos bllokohet tërë sheshi”, kishte treguar menaxheri i Zyrës së Prokurimit, Xhemë Berisha në qershorin e vitit të kaluar.

Mirëpo, realizimi i fazës së dytë të këtij projekti nuk do të nisë sivjet e as që është e përfshirë në planin buxhetor për vitin 2020.