Arbëri

Mospërcaktimi i kritereve në Prizren dëmton përfituesit e subvencioneve

Dhënia e subvencioneve për përfitues të ndryshëm nga Komuna e Prizrenit është shoqëruar me dobësi. Mangësitë në këtë drejtim janë konfirmuar edhe nga vetë zyrtarët e këtij institucioni.

Sipas tyre, mungesa e thirrjeve publike, mospërcaktimi i qartë i kritereve, veprimi ad-hoc në raport me kërkesat janë disa nga sfidat që e kanë shoqëruar këtë kategori shpenzimesh. As ekzistenca disavjeçare e Rregullores për subvencione nuk i ka eliminuar këto dobësi, shkruan sot “Koha Ditore”.

Udhëheqësi i Njësisë së auditimit të brendshëm në Komunën e Prizrenit, Agron Hoxha, ka pohuar se deri tashti kanë munguar thirrjet publike për dhënien e subvencioneve. “Shpenzimet e subvencioneve janë shoqëruar me dobësi ngase rregullorja aktuale s’i ka definuar kriteret e qarta që duhet të plotësohen nga përfituesit. Pos Drejtorisë së Arsimit, që ka aplikuar thirrjen publike dhe kriteret për bursa, drejtoritë e tjera në përgjithësi kanë proceduar me kritere shumë të përgjithësuara”, ka thënë Hoxha, gjatë një tryeze të organizuar nga Zyra rajonale e OSBE-së në Prizren.

Auditori i brendshëm, gjithashtu ka shtuar se drejtoritë nuk kanë aplikuar as për monitorim të vazhdueshëm të organizatave përfituese dhe janë mjaftuar me vetëm një raport financiar të pranuar nga ta.

Me konstatimet e mësipërme është pajtuar edhe drejtori i Financave i Prizrenit. “Rregullorja ekzistuese për subvencione është e pamjaftueshme, prandaj dhe kemi iniciuar plotësimin e këtij akti komunal”, ka thënë drejtori Ertan Simitçi... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.