Arbëri

Komuna e Gjilanit shënon Ditën e Tokës me mbjellje të drunjve dekorativë

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri me bashkëpunëtorë, sot ka mbjell drunj dekorativë për të shënuar Ditën e Tokës dhe njëherësh për krijimin e një ambienti të pastër për qytetarët, ka njoftuar Zyra për informim e kësaj komune.

“Krahas angazhimit të përditshëm që Komuna e Gjilanit dhe ekipet ndër-institucionale janë duke punuar me një kujdes maksimal për të parandaluar përhapjen e virusit COVID-19, ne sot po bëjmë mbjelljen e drunjve dekorativë. Kujdes të veçantë i kemi kushtuar edhe gjelbërimit dhe bëjmë thirrje që Dita e Tokës të përcillet me një masovizim të përgjithshëm qytetarë për ta ruajtur, mbrojtur dhe gjelbëruar ambientin në vazhdimësi”, ka thënë Haziri.

Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që gjatë sezonit të mbillen sa më shumë drunj dhe ky veprim sipas tij, do të ketë ndikim pozitiv në shëndetin e të gjithëve.

“Secili të shënojë emrin e tij në dru, të kujdeset për të dhe normalisht të rriten së bashku me rritjen e qytetit tonë. Ftoj bizneset, familjet, ndërmarrjet publike dhe qytetarët kudo që jetojnë, që të vazhdojnë mbjelljen e drunjve. Kjo ditë është njëra nga 365 në vit, mirëpo duhet të vazhdohet aksioni përditë në kujdesin ndaj ambientit, sepse pandemia na ka treguar se sa i rëndësishëm është ajri dhe ambienti i pastër pa viruse dhe sëmundje ngjitëse dhe pa probleme tjera të ndotjes së ajrit”, tha tutje Haziri.