Arbëri

Nëntë anëtarët e një familjeje në Pejë dyshohet se u infektuan në një varrim

Nëntë anëtarë të një familjeje në Pejë dyshohet se janë infektuar me COVID-19 në një varrim.

Të gjithë i përkasin një familjeje në lagjen “Kristal” derisa një grua e kësaj familjeje është diagnostikuar e para me COVID-19 dhe ajo gjendet e shtrirë në Klinikën Infektive në Prishtinë.

“Bëhet fjalë për një familje në lagjen ‘Kristal’ të qytetit të Pejës. Pra, të gjitha rastet janë nga e njëjta familje. Gjendja momentale shëndetësore e tyre është stabile. Tetë prej tyre janë të izoluar dhe duke u trajtuar në shtëpinë e tyre”, ka thënë Petrit Loci, Drejtor i Shëndetësisë në Pejë.

Sipas zyrtarëve të Shtabit Emergjent Komunal, dyshimet janë se ata janë infektuar pasi morën pjesë në varrimin e një vajze 19-vjeçare, në fillim të prillit, raporton KOHA.

“Të prekurit kanë pasur para disa ditëve një rast vdekjeje dhe aty mendohet se mund të jetë edhe burimi i infektimit. Por prapë mbetet për t’u konfirmuar në bazë të kërkimeve që është duke i bërë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik”, ka shtuar Loci.

Anëtarja e parë e kësaj familjeje në lagjen “Kristal”, që është diagnostikuar me virusin COVID-19, punon në Qendrën e Shëndetit Mendor në Pejë.

“Pasi kemi pasur punëtorët e qendrës në numër të reduktuar dhe të ndarë në ndërrime, e grupi që ka qenë bashkë në ndërrim me të infektuarën u është kryer dje testimi dhe të gjithë kemi dalë negativë”, ka thënë Skender Kandiq, Drejtor i Qendrës për Shëndet Mendor në Pejë.

Pavarësisht se testet u kanë dalë negative, Kandiqi dhe tetë punëtorë të tjerë të kësaj qendre gjenden në izolim shtëpiak dyjavor. Deri tash në Komunën e Pejës janë diagnostikuar 15 persona me COVID-19. Njëra prej të infektuarve, 73-vjeçarja nga fshati Llugaxhi, ka vdekur para një jave.