Arbëri

Shtimja apelon për ndërprerje të vizitave familjare pas 9 të infektuarve në Pjetërshticë

Komuna e Shtimes edhe një herë ka kërkuar nga qytetarët për t’i ndërprerë vizitat familjare pasi që është burimi kryesor për bartjen e virusit Covid-19.

Ndërkohë në fund të javës në fshatin Pjetërshticë të Shtimes kanë rezultuar 9 persona të infektuar me Covid-19.

Koha ka mësuar se të gjithë këta persona janë infektuar nga një i afërm i tyre nga Lipjani i cili ka punuar në kampin “Bondsteel”.

Ndërkaq, njëri nga personat e infektuar nga fshati Pjetërshticë deri në fund të javës ka punuar në një fabrikë për prodhimin e produkteve të qumështit, madje ka furnizuar disa markete ushqimore ne nivel te vendit.

Në anën tjetër në komunikatën e shtabit emergjent në komunën e Shtimes midis të tjerash thuhet se qytetarët duhet urgjentisht t’i ndërprenë vizitat familjare.

“Apelohen të gjithë banorët e komunës së Shtimes për ndërprerjen e vizitave familjare pasi që këto po dalin të jenë edhe burimi kryesor në bartjen e infeksionit COVID-19. Qytetarë të nderuar, keni kujdes është thirrje serioze dhe urgjente, ndërprisni vizitat, qëndroni në shtëpi, mbani distancën dhe mbani pastërtinë personale”, thuhet në komunikatën e shtabit emergjent në komunën e Shtimes.