Arbëri

QPS-ja në Lipjan s’ka pranuar asnjë donacion me pako ushqimore gjatë kohës së pandemisë

Drejtoresha e Qendrës për Punë Sociale në Lipjan, Makfirete Shamolli, nëpërmjet një shkrimi ka dhënë disa sqarime pas ankesave të disa familjeve sociale të cilat nuk kanë përfituar pako ushqimore dhe higjienike.

Shamolli ka thënë se QPS-ja në Lipjan gjatë kësaj periudhe të gjendjes së krijuar nga Covid-19, nuk ka pranuar asnjë donacion nga donatorët për shpërndarje të pakove emergjente për familjet në nevojë, pasi që në komunë është themeluar shtabi emergjent, raporton KOHA.

“Ky shtab ka themeluar komisionet e veta për shpërndarje të pakove ushqimore dhe higjienike për familjet në nevojë. Megjithatë asistenca vullnetare teknike nuk ka munguar nga zyrtarët e QPS-së, për bartësin e këtij aktiviteti, në këtë rast për shtabin emergjent. Shtabi emergjent po identifikon familjet në nevojë përmes strukturave kompetente, e po ashtu po autorizon ekipet për furnizim të familjeve me pako ushqimore e higjienike, sipas planifikimit te dinamikes së tyre për përfaqësim të familjeve në nevojë”, ka thënë Shamolli.

Sipas saj, është shumë e rëndësishme që rastet në nevojë të raportohen nga secili qytetar dhe njëkohësisht të adresohen te shtabi i emergjencave komune.

“Kjo për arsye se edhe ne si institucion (QPS) veprojmë në të njëjtën mënyrë, i raportojmë shtabit emergjent të komunës. QPS-ja Lipjan po bënë një punë të mirë dhe profesionale përkundër gjendjes së krijuar, andaj është shumë me rëndësi që të njoftohen këto familje, dhe të sqarohemi para opinionit lidhur me adresimin e kësaj kompetence”, ka thënë më tej Shamolli. Sipas saj, në anën tjetër të gjithë janë zyrtarë të komunës dhe nuk mund t’i shmangen në asistim teknik rreth shpërndarjes se këtyre pakove, derisa kërkohej një gjë e tillë.