Arbëri

Dyshime për keqpërdorim të parasë publike për fushatë

Akuza të rënda janë drejtuar në adresë të Ekzekutivit të Podujevës nga këshilltari i PDK-së, Lutfi Rexhepi. Ai gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, ka pyetur komunarët nëse edhe në këto zgjedhje do të paguajnë strukturat e LDK-së me buxhetin komunal, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Në zgjedhjet lokale të vitit 2013 ju i keni paguar strukturat e partisë (LDK) me buxhetin komunal. A do t’i paguani edhe sivjet njësoj?” i ka pyetur ai zyrtarët komunalë të Podujevës. Në foltore ka dalë nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari, për të mohuar një gjë të tillë. Ka thënë të mos i kenë paguar zyrtarët e 19 degëve me paranë publike.

“Po më vjen marre edhe me u përgjigj”, ka thënë Rudari. Por, këshilltari i PDK-së ka insistuar se ka edhe fakte për këtë që është duke e thënë. Ka thënë të jetë i vetëdijshëm për fjalën publike.

“Nënkryetari po thotë se po i vjen marre, po nuk besoj që i vjen marre shumë. Unë e kam me emër e mbiemër kush është paguar dhe sa është paguar (në zgjedhjet e vitit 2013 me buxhetin e komunës). Është keq nënkryetar që rreni para 40 vetave, se unë kam dokument për këtë. Po unë ju pyeta a do ta përsëritni sivjet po të njëjtën gjë?”, ka thënë Lutfi Rexhepi.

Sipas tij, Komuna e Podujevës kishte paguar strukturat e partisë (LDK) për zgjedhjet lokale të vitit 2013 në emër të shërbimeve të veçanta. Ka thënë se nuk e ka me vete dokumentin, por ka premtuar se do të faktojë atë që ka deklaruar.