Arbëri

Komuniteti rom kërkon që gjuha e tyre të bëhet zyrtare në Prizren

Gjendja e emergjencës për shëndetin publik ka detyruar aktivistët e komunitetit rom që në vend të aktiviteteve tradicionale për nder të 8 prillit, të gjejnë mënyrë tjetër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Romëve.

Me këtë rast kanë theksuar se komuniteti rom mbetet i margjinalizuar dhe kanë përsëritur kërkesën që gjuha rome të fitojë statusin e gjuhës në përdorim zyrtar në Komunën e Prizrenit, raporton KOHA.

Fatmir Menekshe nga OJQ “Durmish Asllano” ka theksuar se duke respektuar masat e gjendjes emergjente për shëndetin publik është vendosur që 8 prilli të festohet përmes platformave online. Në njërën nga to janë mbledhur urimet e personaliteteve të ndryshme për këtë festë.

"Besoj që vitin e ardhshëm të festojmë festën tonë, pra 8 prillin, edhe me gjuhën tonë zyrtare, që do të miratohet nga Komuna e Prizrenit", ka thënë Fatmir Menekshe nga OJQ “Durmish Asllano”.

Ndërsa aktivisti dhe gazetari rom, Denis Galushi, ka pohuar se në fjalorin e fundit të publikuar nga aktivisti Latif Demiri, fjalët urrejtje e kufi nuk ekzistojnë në gjuhën rome.

“Mirëpo urrejtja, margjinalizimi edhe segregimi ndaj nesh, për fat të keq, ende vazhdojnë. Po shpresojmë që kjo nga dita në ditë do të zhduket”, ka thënë Denis Galushi, aktivist dhe gazetar.

Dita Ndërkombëtare e Romëve shënohet më 8 prill, pasi që në këtë datë është mbajtur Kongresi i parë botëror i romëve në vitin 1971. Në këtë ditë kremtohen kultura, historia dhe gjuha rome.