Arbëri

Dy mjekë të Urgjencës në Prizren rezultojnë negativë në COVID-19

Descriptive Text

Udhëheqës të shërbimit parësor shëndetësor në Prizren, të premten mbrëma, kanë njoftuar se dy mjekë të Urgjencës kanë rezultuar negativë sa i përket infektimit me koronavirus. Në të njëjtën kohë, ata i kanë bërë thirrje organeve të hetuesisë që të ndërmarrin masa ndaj atyre personave që kanë përhapur dezinformata lidhur me këtë çështje.

i Shëndetësisë në Komunën e Prizrenit, Visar Shehu, ka deklaruar se pas testimit ka rezultuar se dy mjekë të Shërbimit urgjent nuk janë të infektuar.

“Sot është bërë testimi i dy mjekëve të Shërbimit urgjent, ku njëri ka qenë kontakt i personit të infektuar dhe i dyti ka qenë kontakt i kontaktit. Sapo morëm informatën nga IKSHPK-ja që të dy rastet kanë rezultuar negativë sa i përket koronavirusit”, ka thënë Shehu për KOHËN.

Shehu ka shprehur qëndrimin se ka 3 ditë që në Komunën e Prizrenit kanë qarkulluar dezinformata lidhur me mjekët e Urgjencës.

“Kushdo që e ka bërë këtë, do të ndiqet penalisht. Prandaj, ftoj organet e rendit dhe Prokurorinë që të merren me rastet e tilla që përhapin dezinformata dhe panik në Komunën e Prizrenit. Nuk do të tolerojmë më përhapjen e panikut”, ka theksuar zyrtari komunal.

Ndërsa përgjegjësi i Urgjencës, Gylxhan Hasani, ka pohuar se mjekët në fjalë, ndonëse kanë pasur kontakt të drejtpërdrejtë përkatësisht të tërthortë me një person të infektuar, megjithëkëtë kanë qenë me pajisje mbrojtëse.

“Falënderoj punonjësit e shërbimit urgjent që kanë ruajtur qetësinë dhe kanë vazhduar punën e tyre”, ka thënë Hasani. Sipas tij, në bazë të rekomandimeve të organeve përkatëse, mjekët në fjalë mund të dalin në punë.