Arbëri

Komuna e Gjilanit dezinfekton vetëm 4 ndërtesa të banimit kolektiv në qendër të qytetit

Foto: Koha

Pushteti komunal në Gjilan është deklaruar se sot do të ndodhë dezinfektimi i objekteve të banimit kolektiv në qytet në kuadër të masave për parandalimin e koronavirusit. Mirëpo, në këtë qytet do të dezinfektohen vetëm 4 objekte të banimit kolektiv gjersa objektet e tjera nuk janë përfshirë në kuadër të këtyre masave.

Drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Selami Xhemajli, deklaron se arsyeja për këtë dezinfektim buron nga kërkesa e cila është parashtruar nga banorët e këtyre ndërtesave.

Xhemajli se ata nuk kanë kapacitete që të realizojnë dezinfektimin e të gjitha objekteve të banimit kolektiv që gjenden në këtë komunë. Sipas tij, prioritet mbetet vazhdimi i dezinfektimit të institucioneve shëndetësore dhe komunale.

“Kemi 4 objekte të banimit kolektiv që do të dezinfektohen, hyrjet dhe korridoret, ngase është edhe kërkesë e banorëve. Kurse objektet të cilat mirëmbahen nuk janë në prioritet në këtë fazë për dezinfektim. Kemi prioritete tjera sepse pas çdo rasti duhet të bëjmë dezinfektimin e objekteve shëndetësore. Deri tani kemi pastruar dhe dezinfektuar rrugët e qytetit, institucionet komunale dhe objektet shëndetësore”, ka thënë ai për Kohën.

Thotë se do të shqyrtojnë mundësitë për dezinfektimin e objekteve të banimit social gjersa për banorët ka premtuar se do të furnizohen me pako higjienike. “Për ata banorë (në ndërtesat e banimit social), ne kemi shpërndarë pako ushqimore. Kurse, pasi të furnizohemi nga UNHCR-i me pako higjienike, ata do të jenë prioritet. Do të shikojmë edhe mundësitë për dezinfektim”, ka thënë ai.

Ndërkaq, këshilltarët komunalë kritikojnë komunën se në këtë gjendje të pandemisë ka bërë selektim sa i përket dezinfektimit.

Këshilltari komunal nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Riza Abdyli, deklaron se komuna duhet të dezinfektojë objektet e banimit kolektiv në kuadër të këtyre masave.

“Në këtë gjendje në të cilën po kalojmë nuk duhet të ndodh që të kemi selektim të tillë. Duhet të ketë një plan për dezinfektim ku edhe do të njoftohet publiku. Duhet të sigurohen mjetet dhe të ndodh dezinfektimi në objektet e banimit kolektiv. Për ato objekte të banimit kolektiv që janë të reja ku investitori është përgjegjës për një periudhë 2 vjeçare, atëherë i njëjti investitor duhet të detyrohet që të realizojë dezinfektimin. Kurse ato objektet e tjera të cilat kanë kaluar fazën e përgjegjësie të investitorit, me ato objekte duhet të merret komuna”, ka thënë ai.

Vlerësim të njëjtë ka edhe këshilltari komunal nga radhët e Partisë Socialdemokrate (PSD), Xhelal Hajrullahu. “Nuk duhet të ndodh një ndarje e tillë në këtë kohë të krizës në të cilën gjendemi. Duhet të dezinfektohen objektet ku banojnë një numër i madh i qytetarëve dhe duhet të sigurohen mjetet e nevojshme. Sepse është përgjegjësi e komunës të merret me ndërtesat e banimit kolektiv. Shpresojmë se do të ndërmerret diçka në këtë drejtim”, ka thënë Hajrullahu.