Arbëri

Gjini i pakënaqur me buxhetin për Gjakovën, thotë se shumë projekte nuk do të përfundojnë

Descriptive Text

Në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës që u mbajt javën e kaluar e ku kaloi buxheti për vitin 2020, një nga komunat për të cilin u diskutua ishte edhe Gjakova.

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, në një lidhje me Skype për KosovaPress, deklaroi se pothuajse të gjitha projektet e financuara nga qeveria do të ndalen, e ato të parapara për të filluar, nuk do të fillojnë.

Ai tha se rruga Gjakovë-Klinë, dalja për Prizren, rruga "Bujar Roka", tranziti i ri, rruga Kralan-Jabllanicë, rruga Cërmjan-Meqë nuk do të përfundojnë, ndërsa projektet si dalja për Pejë dhe stadiumi i ri nuk do të nisin.

Sipas tij, të gjitha këto dhe shumë projekte të tjera kanë qenë të parapara me projektbuxhetin e Qeverisë Haradinaj.

Kreu i Gjakovës tërhoqi vëmendjen se madje me buxhetin aktual disa projekte nuk do të mund të kryhen për 7 ose 8 vite.

"Në buxhetin të cilin e ka aprovuar Kuvendi i Kosovës, buxhetin e fundit, dhe me atë buxhet të cilin e ka dërguar Qeveria Kurti në Kuvend pothuajse të gjitha projektet e financuara nga Qeveria e Kosovës, nuk po flas për buxhetin komunal, do të ndalen. Me dhënë një shembull konkret nuk e kam tej ekzagjeruar për të gjithë Qarkoren e Gjakovës që është dalja për Prizren, rruga "Bujar Roka" dhe transiti i ri, janë ndarë 800 mijë euro, e vërteta është se ato 800 mijë euro tanimë janë shpenzuar dhe duhet të paguajmë, kështu që nëse mbesim me këtë buxhet e kemi të vështirë që t'i vazhdojmë këto punë. Po ashtu, edhe rruga Gjakovë-Dollc ose Gjakovë-Klinë me sa di unë i ka të buxhetuara diku 4 milionë euro dhe ka qenë dashur të jenë 20, me nga katër milionë euro ajo rrugë nuk do të kryhet edhe 7 ose 8 vjet", tha Gjini.

Kryetari i Gjakovës kundërshtoi idenë se Gjakova ka pasur më shumë mjete, pasi sipas tij, me 12 milionë euro të planifikuara për dy vjet do të mjaftonin për projektet e planifikuara.

Gjini tha se për 18 vjet Gjakova ka pasur më së paku buxhet, madje në disa raste edhe 17-fish më pak se komunat e tjera.

Megjithëse deklaroi se nuk e ka pritur një buxhet të tillë nga Qeveria Kurti, u shpreh optimistë se do të gjejnë një mënyrë për të përfunduar projektet e nisura në Gjakovë.

“Kanë bërë gabim për shkak se me këtë buxhetim janë ndalur projektet në vazhdimësi, ka njerëz që ka në folur për Gjakovën, ka pasur Gjakova, jo nuk ka pas shumë mjete Gjakova, i ka pasur 12-13 milionë për dy vjet që kishin me qenë të mjaftueshme por nuk duhet të harrojmë që diku për 18 vjet Gjakova ka qenë diku edhe 17-fish më pak e buxhetuar se komunat e tjera, ka pasur mungesë të buxhetit. Prapë besoj se do ta gjejmë një rrugë ne në Gjakovë që t'i kryejmë këto punë, por nuk e kam pritur një buxhet të tillë nga Qeveria e Kosovës", deklaroi Gjini për KosovaPress.

Ndryshe, deputetët gjakovarë të cilët përfaqësonin pozitën në seancën për buxhetin kanë deklaruar se projektet e nisura do të vazhdojnë dhe se pretendimet e kryetarit Ardian Gjini nuk qëndrojnë.