Arbëri

Në kohë pandemie, një furrë në Prizren ofron bukë falas për ata që kanë nevojë

Pronarët e një furre në Prizren që prej mesit të kësaj jave po ofrojnë bukë falas për familjet në nevojë, si rrjedhojë e gjendjes së krijuar me përhapjen e virusit COVID-19.

Sipas tyre, solidariteti në këtë situatë është i nevojshëm për shkak se kufizimet e imponuara në ekonominë kosovare për parandalimin e përhapjes së virusit kanë goditur qytetarët në gjendje të vështirë financiare, raporton KOHA.

“Duke e parë shqetësimin e qytetarëve për furnizim me miell dhe duke e ditur se ka familje që nuk kanë as për të blerë miell e as për të blerë bukë, kam vendosë që në mënyrë vullnetare t’u jap bukë falas deri në stabilizimin e gjendjes me koronavirusin”, ka thënë Ilir Baldedaj, pronar i furrës “Besi” në Prizren.

Ai thekson se numri i atyre që vijnë për të marrë bukë falas është i vogël.

Njëherësh Baldedaj apelon që nevojtarët të mos hezitojnë, sidomos shkaku i situatës aktuale.

“Unë u bëj thirrje që të mos hezitojnë, sepse nuk është e turpshme kërkimi i bukës për familjen në këtë gjendje kaotike, që ka përfshirë tërë botën, jo vetëm Kosovën”, shtoi ai.

Sa i përket furnizimit me miell, ka theksuar se biznesi i tij nuk ka pasur telashe, teksa shton se nuk është në dijeni për gjendjen në markete dhe në furrat e tjera të qytetit.