Arbëri

Në Lipjan, suspendohen tre punonjës mjekësorë për shpërfillje të orarit të punës

Komuna e Lipjanit ka njoftuar se drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Merita Bytyqi, ka suspenduar përkohësisht nga puna tre zyrtarë shëndetësorë për shkak të mosrespektimit të orarit të punës.

“Me vendim të drejtoreshës së Shëndetësisë, dr. Merita Bytyqi janë suspenduar nga puna, Dr. O.Sh, motra medicinale M. Z, dhe punëtorja H.B, në QMF - Janjevë. Ky suspendim është marr për shkak të mos respektimit të orarit të punës dhe mospërfilljes së situatës emergjente të shëndetit publik të shpallur nga Qeveria Kosovës dhe përkundër faktit se janë dërguar vërejtje të shumta nga menaxhmenti i QKMF-së në Lipjan”, thuhet në njoftimin e komunës.

Sipas tyre punonjësit nuk e kanë përfillur situatën dhe kanë sabotuar situatën dhe detyrat e punës. Ndërkaq në vendim, thuhet se të tre janë suspenduar përkohësisht deri sa të merret vendimi nga ana e Komisionit Disiplinor.

Me vendim të Qeverisë për shpalljen e emergjencës për shkak të përhapjes së koronavirusit, punëtorët shëndetësorë dhe ata të sigurisë nuk kanë të drejtë të marrin pushime në këtë periudhë.