Arbëri

PDK, dega Vushtrri: Kryetari Tahiri po shpif për kërcënime që t’i mbulojë aferat korruptive

Foto: Koha / ilustrim

Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Vushtrri, deklarimin e kreut të komunës, Xhafer Tahiri, se është kërcënuar me jetë gjatë ditës së djeshme, e ka quajtur “të pavërtetë” dhe “shpifje”.

Kjo parti thotë se “ky lajm i porositur nga vetë kryetari Xhaferi është vetëm për të shmangur vëmendjen e vërtetë ndaj dështimit të komunës së tij dhe t’i mbulojë aferat korruptive”.

“Inskenimet e tilla nuk i shkojnë aspak një kryetari normal komune por vetëm atij të cilit i ka humbur rruga në oborr. Frika nga të bëmat e tij me korrupsionin që do ta dërgojnë në burg e shtyjnë këtë njeri të inskenojë çmenduri të tilla deri në absurditet”, ka thënë kjo parti, ndërsa i ka bërë thirrje kreut të Komunës që t’i lë “lojërat e pista” por t’i kthehet institucionit që drejton “në këto momente të vështira për qytetarët”.

“PDK informon qytetarët se kërcënimi për të cilin flitet në media ka ardhur nga vetë anëtari i partisë së tij, i cili ka emër dhe mbiemër. Prandaj, PDK fton organet e rendit dhe hetuesisë që t’i shkojnë deri në fund të këtij rasti të shëmtuar për ta zbuluar të vërtetën”, ka përfunduar PDK-ja e kësaj komune.