Arbëri

Për një javë në pikën kufitare “Kulla” janë kontrolluar 450 qytetarë

Descriptive Text

Pas rritjes së nivelit të rrezikshmërisë nga koronavirusi, para një jave, në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik në Pejë, Komuna e Pejës, Istogut, Klinës dhe Deçanit, kanë krijuar ekipet emergjente mjekësore për kujdestari 24 orë me autoambulanca në pikën kufitare me Malin e Zi dhe në Kullë të Pejës.

Ekipi i parë që ua kishte “zënë priten” të gjithëve që hynin në Kosovë nëpër këtë pikë kufitare, ka qenë ekipi mjekësor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare të Istogut, të cilat kanë mbajtur kujdestarinë deri sot në mëngjes në ora tetë.

“Për një javë ekipet mjekësore të QKMF-së së Istogut kanë ekzaminuar 450 qytetarët. Ky është numri që kanë hy në Kosovë për një javë nëpër atë pikë kufitare. Dhe asnjëri prej tyre nuk ka treguar shenja të dyshimit në koronavirus”, tha për Kohën, drejtori i QKMF-së në Istog, Ymer Vuthi.

Pa dhënë një statistikë të ndarë, ai tregoi se në mesin e qytetarëve që kanë hyrë në këtë pikë kufitare gjatë një javë, ka pas mërgimtarë dhe banorë të Kosovës.

Të hënën nga ora tetë, për një javë kujdestarinë e kanë marr ekipet mjekësore të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare të Pejës.

“Nga sot Peja e ka marrë në kujdestari pikën kufitare Kulla, në të cilën çdo tetë orë ndërrohet ekipi kujdestar. Në rast se shfaqet ndonjë rast i dyshimtë, personi transportohet menjëherë me auto-ambulancë drejtë në QKU në Prishtinë”, tha drejtori i Shëndetësisë në Pejë, Petrit Loci.

Javën tjetër për kujdestari në Kullë janë përgjegjëse ekipet mjekësore të QKMF-së të Deçanit e pastaj ekipet e QKMF-së nga Klina. Me këtë rend të rotacionit këto katër qendra mjekësorë do të kujdestarojnë në këtë pikë kufitare deri në një vendim tjetër.