Arbëri

Drejtoresha e QKMF-së në Viti thotë se bashkë me stafin do të qëndrojnë në karantinë 14 ditë

Descriptive Text

Si pjesë e masave kundër koronavirusit, pushteti komunal në Viti ka dezinfektuar objektet komunale kurse në oborrin e Qendrës së Mjekësisë Familjare është vendosur një tendë ku do të vendosen qytetarët të cilët dyshohen se janë prekur me COVID-19.

Komunarët kanë deklaruar se stafi shëndetësor është furnizuar me maska dhe dorëza dhe pajisje tjera, kurse kanë bërë të ditur se janë ndihmuar edhe nga tre donatorë. Gjersa në këtë komunë stafi shëndetësor prej 11 personash duke përfshirë edhe drejtoreshën e QKMF-së janë vetizoluar ngase dyshojnë se mund të jenë të prekur nga COVID-19 ngase në QKMF ishte kontrolluar një pacient i cili më pas kishte rezultuar pozitiv me COVID-19.

Drejtoresha e QKMF-së, Vjollca Kadolli Halili, deklaron se stafi shëndetësor është duke vazhduar punën dhe se janë në koordinim edhe me institucionet e tjera.

“Jemi vetizoluar ngase kemi frikë që të shkojmë në shtëpi dhe duhet të qëndrojmë deri në 14 ditë në këtë mënyrë dhe deri tani nuk ka pasur shenja që jemi prekur me COVID-19. Por duhet të qëndrojmë deri në 14 ditë për shkak të frikës sepse kemi pasur kontakt me ambientin ku pacienti ka qenë i vendosur. Jemi të vendosur në shtëpi të cilat nuk kanë qenë të banueshme. Kurse stafi tjetër është duke vazhduar punën dhe janë furnizuar me maska dhe dorëza. Kurse Ministria ka sjell një tendë që është vendosur në oborrin e QKMF-së që nëse ka ndonjë të dyshuar të mos futet brenda QKMF-së por të futet në tendë” ka thënë ajo.

Kurse ushtruesi i detyrës në drejtorinë e shëndetësisë në Viti, Basri Aliu deklaron se për shkak të frikës së koronavirusit ka rënë edhe numri i vizitave të pacientëve në QKMF për kontrolle të ndryshme mjekësore. Ai thotë se janë në kontakte të vazhdueshme edhe me banorët e fshatit Stubëll të cilët janë izoluar ngase një bashkëfshatar i moshës 77 vjeçare ka rezultuar i prekur me koronavirus, raporton KOHA.

“Jemi në kontakte të vazhdueshme me banorët dhe deri tani kemi 6 banorë të cilët janë vetizoluar ngase dyshohet se kanë pasur kontakte me personin i cili ka rezultuar i prekur me koronavirus. Kemi nevojë ende që të furnizohemi me maska dhe dorëza dhe dezinfektues . Kemi pasur edhe donator të cilët i kanë dhuruar këto. Sa i përket vizitave të pacientëve në QKMF ato kanë rënë dukshëm ngase në të kaluarën i kemi pasur diku 140 kontrolle të pacientëve gjersa tani janë 30 deri 33 kontrolle brenda një dite” ka thënë ai.