Arbëri

Kërkohet hetim për rastin e groposjes së kafshëve me brucelozë në Ribar të Madh të Lipjanit

Foto: Koha

Banorët e fshatit Ribar i Madh të Komunës së Lipjanit kanë kërkuar nga organet kompetente hetime lidhur me asgjësimin e rreth 50 krerë lopëve me sëmundje të brucelozës në pjesën e epërme të këtij fshati, derisa kjo çështje po shkakton kundërmim dhe po e vështirëson jetesën e tyre.

Sipas banorëve, rreth kësaj çështjeje janë ankuar disa herë, madje rastin e kanë bërë publik edhe nëpër media, mirëpo sipas banorëve institucionet publike, si Policia e Kosovës dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës deri tashti nuk kanë marrë masa konkrete për ta hetuar këtë rast, shkruan sot “Koha Ditore”.

Banorët po vazhdojnë të ankohen se afër groposjes së kafshëve është duke u ndërtuar edhe një rezervuar për ujë të pijshëm, i cili mund të paraqesë pasoja në të ardhmen për mijëra banorë. Ata kanë kërkuar sërish nga institucionet publike të marrin masa për inspektimin e gjendjes në terren në mënyrë që të parandalohej ndonjë sëmundje epidemike, ndryshe kanë paralajmëruar edhe protesta.

Në Policinë e Kosovës kanë thënë se nuk janë marrë me këtë rast. “Në Polici nuk është iniciuar ndonjë rast lidhur me këtë ngjarje, kjo është trajtuar nga institucionet kompetente komunale, si dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë”, thuhet shkurt në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)