Arbëri

Edhe Podujeva nis dezinfektimin e institucioneve publike për parandalimin e virusit COVID-19

Komuna e Podujevës ka njoftuar se ka ndërmarrë masa preventive ndaj COVID-19.

Sipas një njoftimi përmes Facebookut, Këshilli i Drejtorëve të Komunës së Podujevës ka mbajtur takim, në të cilin është analizuar situata e krijuar, masat dhe aktivitetet që po ndërmerren, për parandalimin e COVID-19 (Coronavirusit).

Sipas njoftimit nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, ka mbajtur sot takimin e Këshillit të Drejtorëve, ku është analizuar situata në komunë dhe masat që janë ndërmarrë dhe do të ndërmerren për parandalimin e këtij virusi.

“Në takimin, ku ishte e pranishme edhe Dr. Bedrie Rama - epidemiologe, u tha se Komuna po ndërmerr të gjitha masat e nevojshme preventive ndaj COVID-19 (Coronavirusit), veçmas pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve arsimore deri më 27 mars. Në kuadër të aktiviteteve të deritashme preventive, Komuna e Podujevës i është përgjigjur të gjitha rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës dhe përmes Drejtorisë së Shëndetësisë dhe QKMF-së ka aktivizuar punktin shëndetësor në pikën kufitare në Merdar gjatë 24 orëve me katër ekipe mjekësore, të cilat janë pajisur me mjetet e nevojshme dhe material mbrojtës”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, komuna ka bërë dezinfektimin e hapësirave në objektin e administratës komunale, në institucionet shëndetësore dhe në të gjitha objektet shkollore dhe institucionet e tjera publike.

“Në takim u vendos që konform vendimit për ndërmarrjen e masave preventive, me procedurë të përshpejtuar të sigurohen materialet e nevojshme higjienike dhe farmaceutike, për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe punonjësve nëpër institucionet publike. Këto institucione do të pajisen me mjete mbrojtëse dhe material dezinfektues. Po ashtu u kërkua që sipas vendimit të Qeverisë të gjitha aktivitetet publike dhe jopublike të mbyllura do të mbahen pa praninë e publikut, deri në një vendim tjetër”, thuhet tutje në njoftim.

Ndërsa inspektorët komunalë, sipas tyre, do të përkujdesen që të ndalohet veprimtaria e klubeve restoranteve, klubeve të natës, palestrave pishinave, pas orës 23:00.

Ata tutje kanë ftuar qytetarët që t’i raportojnë rastet e ngritjes së çmimeve nga dyqanet.

“Ftojmë qytetarët që rastet e tilla t’i denoncojnë në Administratën Tatimore të Kosovës, duke thirrur në numrin pa pagesë 0800 80 800, ose në numrin 038 222 165 (thirrja në këtë numër është me pagesë)”, thuhet në njoftim.

Dezinfektimi i institucioneve publike është bërë edhe në Komunën e Ferizajt.