Arbëri

Komuna e Pejës synon ta bëjë të dielën ditë pushimi edhe në sektorin privat, kundërshtohet nga bizneset

Descriptive Text

Edhe Komuna e Pejës sikurse edhe disa komuna tjerë në Kosovë, ka vendosur që shumicës së veprimtarive në sektorin privat të ua vejë drynin ditëve të diela dhe ditëve të festave zyrtare, me rregulloren për orarin e punës të veprimtarive ekonomike në këtë komunë, e cila aktualisht gjendet në diskutim publik.

Për të marrë vërejtjet, ankesat dhe sugjerimet rreth kësaj draft-rregullore, të enjten komuna ka organizuar një diskutim publik me përfaqësuesit e bizneseve që operojnë në territorin e kësaj komune.

E ata që ishin të pranishëm në këtë diskutim, shprehen mospajtimin e tyre për ndalesën e punës të dielave dhe ditëve të festave zyrtare, transmeton KOHA.

Kundërshtuesi më i zëshëm ndaj kësaj ndalese ishte shoqata “Rrjeti i shitësve me pakicë”, e cila në vete përfshinë ETC, Viva Fresh Store, Interex, Prince Coffee Shop, Meridian Express, Super Viva, Albi Shopping, JYSK, KFC, EuroPrinty dhe The North Unicorn.

Ndalesa e punës ditëve të diela dhe ditëve të festave zyrtare, siç pohoi Yllka Metaj, drejtoreshë e kësaj shoqate, do të ndikojnë negativisht në punën e këtyre ndërmarrjeve dhe në largimin e punëtorëve nga puna.

“Rrjeti i shitësve me pakicë është punëdhënësi më i madh i sektorit privat në vend me mbi 15 mijë punëtorë. Mos puna ditëve të diela dhe ditëve të festave zyrtare do të ndikojë në numrin e papunësisë deri në 20 për qind në këtë sektor. I bie deri në rreth 3 mijë punëtorë. Mundet me pas ndikim edhe në zvogëlim të pagës së punëtorëve në ndërmarrjet e këtij rrjeti, si dhe do të përkeqësohet gjendja e bizneseve pasi mos puna në këto ditë do të ndikojë direkt në qarkullim te bizneseve”, pohoi Metaj, e cila përcjelli qëndrimin e këtyre kompanive se janë që të punohet edhe ditëve të diela dhe ditëve të fesave.

Kurse, Arbër Paçarizi, zyrtar ligjor i njërës për këtyre ndërmarrjeve, pohoi se nga ana juridike, kjo rregullore bie ndesh me ligjin e punës, pasi sipas tij, ai ligj lejon punën e punëtorëve në orët shtesë ditët vikendeve, orët e natës dhe festat zyrtare.

Edhe ky, sikurse edhe parafolësja Metaj, në një far mënyre “kërcënuan”, me pohimet se duke ua ndaluar që ato të punojnë ditëve të diela dhe ditëve të festave zyrtare, do të zvogëlojë numrin e punëtorëve, rritë papunësisë dhe dobëson zhvillimin ekonomik.

“Duhet të lejohet puna ditëve të diela dhe ditëve të festave zyrtare”, kërkoi ai.

Ata pyeten zyrtarët komunal që gjendeshin përballë, se a kanë bërë ndonjë studim fizibilitet për këtë rregullore, e cila sipas përfaqësuesve të atyre bizneseve, mund të ketë ndikim në ekonomi dhe mirëqenie të qytetarëve.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Pejës, Islam Husaj, u bëri me dije atyre se më punën që është bërë nga komuna me muajt të tërë dhe diskutimin me punëtorët që punojnë mu në kompanitë e këtij rrjeti, 99 për qind e punëtorëve kanë kërkuar që ta kenë të lirë ditën e diele. “Ju pyesni se a është bërë ndonjë studim fizibiliteti? Ky është fizibiliteti që për të cilin ju pyesni. 99 për qind e punëtorëve në kompanitë juaja kanë kërkuar një ditë pushimi në fundjavë. E nga gjitha diskutimet që i dëgjova, asnjëri prej jush nuk foli për të drejtën e punëtorit, i cili ka të drejtë për ditë pushimi dhe atë në ditën e fundjavës. E ju po e shikoni vetëm interesin e juaj”, ju ka drejtuar Husaj atyre që përfaqësonin kompanitë anëtare të atij rrjeti të shitësve me pakicë.

Husaj gjithashtu u tha atyre se nuk kanë pse të mbajnë dertin se do u bie qarkullimi nëse nuk punojnë të dielave.

“Qytetarët do të furnizohen me artikujt e nevojshëm edhe ditëve tjera, kur e dinë që nuk punohet të dielave”, ju tha ai atyre.

Pjesëmarrësve në këtë diskutim publik, ju interesua të dinë se në cilat ligje është bazuar komuna që ka hartuar këtë draft-rregullore për orarin e punës.

“Kjo rregullore është e mbështetur në statusin e komunës së Pejës, ligji për vetëqeverisje lokale dhe ligji për tregti të brendshme. Kjo rregullore nuk është ndryshuar që nga viti 2003 dhe pasa 15 viteve ndryshohet kjo rregullore, duke ju përshtatur standardeve të reja të tregut të hapur”, ju tha Xhenet Syka –Kelmendi, drejtoreshë e Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik.

Ajo ua bëri të qartë se bizneset që janë një rrjet i më tepër së një dyqani nuk do të punojnë të dielave dhe ditëve të festave zyrtare, derisa kjo ndalesë nuk vlen për dyqanet e vogla ushqimore, si dyqanet e lagjeve apo dyqanet familjare, çka edhe i bëni të reagojnë folësit e rrjetit të shitësve me pakicë, pse atyre dyqaneve familjare nëpër lagje do u lejohet puna të dielave, këtyre tjerëve jo.

Por drejtoresha Xhenet Syka –Kelmendi edhe fort nuk ua bëri dert, duke u thënë se ky nuk është debat, por një diskutim publik që ka organizuar komuna për të marrë sugjerimet dhe propozimet e tyre, që pastaj ato të ia përcjellin komisionit të rregullores që t’i trajtojë ato dhe pastaj draftin final ta paraqesë për miratim në Kuvendin Komunal.

“Me këtë rregullore do ta menaxhojmë fillimin dhe mbarimin e orarit të punës, por edhe çështjet tjera zyrtare që kanë të bëjnë me organizimin e brendshëm të tregtisë në komunën e Pejës. E ankesat e juaja kryesisht bazohen tek ligji i punës. E unë po ua përsëriti se skeleti i kësaj rregullore është i përbërë nga ligji për vetëqeverisje lokale, statuti i komunës së Pejës dhe ligjit për tregti të brendshme”, iu drejtua në fund ajo edhe një herë kundërshtuesve të mos punës ditëve të diela dhe ditëve të festave, derisa nga fundi i sallës së kuvendit ku u mbajt ky diskutim publik, një qytetar kërkoi të di nëse kjo rregullore parasheh ndonjë numër telefoni për thirrje anonime, që qytetarët të paraqesin shkelësit e kësaj rregulloreje, pasi të hy në fuqi.

Por ai nuk mori përgjigje. Me këtë rregullore ja ë përcaktuar oraret e punës ditore në periudha verore dhe dimërore për gjitha veprimtaritë që ushtrohen në sektorin privat në këtë komunë. Me këtë rregullore janë paraparë edhe gjobat për shkelësit e dispozitave të kësaj rregullore, në shuma të ndryshme prej 50 deri në 2 mijë euro.