Arbëri

Banorët me peticion kërkojnë ndaljen e një biznesi në Lipjan

Descriptive Text

Lipjan, 10 mars - Banorët e rrugës “Isa Olluri” në Lipjan nëpërmjet një peticioni kanë kërkuar nga komuna ndaljen e punës së një biznesi të rrezikshëm që merrej me ngjyrosjen e veturave.

Sipas banorëve ky biznes po tenton të fillojë punën pa ndonjë leje nga Ministria e Ambientit. Në peticionin e banorëve, midis të tjerash thuhet se ky biznes nuk është fare i regjistruar edhe si biznes te ARBK-e.

“Pa ndonjë leje nga Komuna e Lipjanit dhe pa pëlqimin e asnjë banori të kësaj ndërtese, po synon të hapë një biznes në objektin tonë. Ky biznes po dyshojmë se do të merret me ngjyrosje të automjeteve, polir (polish) të veturave. Ato preparate janë kimikate dhe neve, si banorë, na dëmton shumë. Po ashtu ky biznes ka dëmtuar dy parkingje publike me 29.02.2020, të cilat janë shfrytëzuar nga banorët e këtij kompleksi dhe për këtë është njoftuar Drejtoria e Inspektorati të Komunës, i cili ka dalë në vendin e ngjarjes, ku ky ka ndryshuar pamjen e jashtme dhe te brendshme, madje ka rrënuar edhe mure te objektit”, thuhet midis të tjerash në peticionin e banorëve, të cilët kanë kërkuar parkingjet publike, trotuarin, dhe rikthimin e pamjes së murit te objektit në gjendjen e mëparshme.

Sipas banorëve nëse komuna nuk reflekton rreth këtij rast, atëherë do t’i drejtohen prokurorisë kompetente, dhe Policisë së Kosovës, Departamentit për Krime Ekonomike dhe Korrupsion.

Po ashtu rreth këtij rasti nëpërmjet një komunikate për media ka reaguar edhe opozita në Lipjan duke e kritikuar komunën se po e lejon hapjen e bizneseve të rrezikshme pranë qytetarëve, madje pranë objektit të komunës.

Nga ana tjetër, Imer Rrustemi, drejtor i Inspektoratit në Komunën e Lipjanit, në një deklaratë për “Kohën Ditore” tha se ky biznes nuk ka leje nga komuna, por as nga Ministria e Ambientit, andaj punimet ia kanë pezulluar. “Ne e kemi ndalur këtë biznes dhe e kemi njoftuar edhe Policinë e Kosovës, sepse po ashtu ky biznes ka dëmtuar edhe pronën publike, parkingjet, trotuaret etj”, ka thënë Rrustemi. Sipas tij, për këtë vepër të jashtëligjshme, gjobat do të jenë shumë të larta për pronarin dhe biznesin, i cili pa ndonjë leje nga Komuna ka dëmtuar pronën publike dhe ka rrezikuar dhjetëra familje që jetojnë në atë ambient.