Arbëri

Ekzaminimi mamografik u mundësohet falas grave të komuniteteve rom, ashkali e egjiptian

Pak ditë para shënimit të 8 Marsit – Ditës së Gruas, Komuna e Mitrovicës ka organizuar kontrolle të gjirit në Qendrën e Mjekësisë Familjare për gratë e komuniteteve rom, egjiptian dhe ashkali.

Megjithatë, për këtë iniciativë nuk ka dëgjuar Selime Osmani, e cila jeton në Mitrovicë të Jugut, raporton KOHA.

Ajo thotë se meqë kjo kontroll është pa pagesë do ta bëjë mamografinë pasi, shton se, kushtet e rënda ekonomike ia kanë pamundësuar një gjë të tillë, ndonëse thotë se është përballur me shumë probleme shëndetësore.

Ky aktivitet është organizuar nga Drejtoria e Shëndetësisë në bashkëpunim me organizata të shoqërisë civile.

Drejtoresha e Shëndetësisë në Mitrovicë të Jugut, Erseka Hasanaj – Barani, ka thënë se të gjitha gratë e këtyre komuniteteve kanë mundësi të kryejnë falas ekzaminimin mamografik.

Barani ka shtuar se ky aktivitet do të vazhdojë derisa të ekzaminohen të gjitha gratë e këtyre komuniteteve në Mitrovicë.