Arbëri

Naim Fetahu premton mbështetje për gruan në Podujevë

Foto: Koha

Kandidati i PDK-së për kryetar të Podujevës, Naim Fetahu, ka shpalosur të dielën programin për gruan.

Ai në një konferencë për media ka thënë se do të japin maksimumin për barazi gjinore dhe do të reflektojnë si politikë për mbështetjen në të gjitha proceset që kanë të bëjnë me gruan.

Fetahu ka thënë se në Komunën e Podujevës gjendja e organizimit të gruas nuk dallon prej gjendjes së përgjithshme, transmeton Koha Ditore.

“Është në gjendje jo e mirë. Në politikat e udhëhequra nga ish-kryetari i komunës gruaja nuk ka qenë në vendin e vet. Në kuadër të 12 drejtorive që i ka komuna, sot vetëm një drejtoreshë e kemi nga gjinia femërore në komunën tonë. Dhe mendoj se kjo gjendje si e tillë është e keqe”, ka deklaruar Naim Fetahu.

Ai ka thënë se nëse merr besimin e qytetarëve në qeverisjen e tij, 50 për qind të drejtorive do të udhëhiqen nga gratë.

“Por jo vetëm drejtorive komunale. Gruaja do të udhëheq edhe me arsimin, shëndetësinë, etj. ato përbëjnë 50 për qind të popullsisë, 50 për qind të komunës tonë dhe ne do të japim meritën që e meritojnë. Gratë do të kenë mbështetje edhe në çdo iniciativë të biznesit. Ato janë treguar në çdo iniciativë jashtëzakonisht të suksesshme dhe do të përpiqemi që të bëjmë maksimumin që të t’i mbështetur bizneset ekzistuese të tyre, por edhe bizneset e reja duke i inkurajuar që të japim maksimumin në këtë drejtim”, ka theksuar kandidati i PDK-së për të parin e Podujevës.

Ndërkohë, deputetja e Kuvendit të Kosovës nga kjo parti, Blerta Deliu, ka thënë se kandidati i tyre e ka një program specifik për çështjet e gruas.

“Këto ditë kemi takuar gra të cilat janë marrë dhe janë angazhuar personalisht për të zhvilluar bizneset e tyre, por të cilat na kanë thënë se asnjëherë nuk kanë marrë mbështetjen e komunës. Dhe kjo është dekurajuese për gruan. Kemi takuar studente të jashtëzakonshme dhe na kanë treguar se edhe pse i kanë përmbushur të gjitha detyrimet dhe u janë nënshtruar konkurseve në Komunën e Podujevës, nuk kanë pas asnjëherë mundësi që të fitojnë një vend të punës”, është shprehur Deliu.

Ndërsa, deputetja tjetër, Besa Ismajli, ka thënë se programi i PDK-së është program i vlerave të familjes dhe i bie tamam secilës familje.