Qytetarët e Komunës së Shtimes dhe kompanitë transportuese të udhëtarëve po vazhdojnë të përballen me mungesë të stacionit të autobusëve, megjithëse që nga paslufta janë dhënë premtime të vazhdueshme nga komuna se do të ndërtohej një stacion i tillë për autobusë.
Në mungesë të stacionit të autobusëve shpeshherë disa kompani transportuese i shfrytëzojnë pompat e derivateve për të marrë udhëtar në qytetin e Shtimes. Edhe më të vështirë e kanë kompanitë transportuese të udhëtarëve nga qytetet tjera të cilat kalojnë transit nëpër qytezën e Shtimes, raporton Koha Ditore.
Zyrtarët komunal në Shtime kanë thënë se gjatë këtij viti do të përcaktohej lokacioni për stacion të autobusëve dhe më pastaj të filloi ndërtimi i tij, andaj fillimisht do t’i ofrojnë disa alternativa para qytetarëve. Sipas zyrtarëve komunal deri tashti ky projekt është zvarritur si pasojë e mungesës së lokacionit dhe mungesës së buxhetit nga komuna e Shtimes. Naim Ismajli, kryetar i komunës së Shtimes, ka thënë se së shpejti do të ofrojnë disa alternativa para qytetarëve për këtë projekti derisa komuna është në proces të hartimit të Planit Zhvillimor Komunal. Sipas tij me PZHK-në do të përcaktohen edhe shumë projekte të tjera në të mirë të qytetarëve.
“Në PZHK kemi paraparë edhe mundësitë e gjetjes së stacionit të autobusëve. Ne do të përpiqemi në këtë rast të përcaktimit final se ku mund të jetë një stacion i tillë, andaj do të marrim rekomandime edhe nga ekspertët e komunikacionit nga ministria e infrastrukturës”, ka thënë Ismajli.
Sipas tij, aty ku do të jenë rekomandimet e ekspertëve mund të jetë funksional stacioni i autobusëve.
“Do ta bëjmë një lokacion i cili do të jetë i mjaftueshëm edhe për autobusët transit dhe një pjesë tjetër të qëndrimit të autobusëve. Ne i kemi disa identifikime të zonave potenciale por rekomandimin përfundimtar do ta japin ekspertët”, ka thënë Ismajli.
-
Nga: Agim Ademi
-
5 mars 2020 16:15
-
Shpërndaje në: