Arbëri

Alternativa në Gjakovë ngre zërin kundër ndërtimeve që cenojnë objektet e trashëgimisë

IKMM-ja dhe Komuna e Gjakovës jashtëligjshëm lejojnë ndërtimin e ndërtesave të larta që cenojnë katër objektet e trashëgimisë kulturore në zemër të Gjakovës, thekson partia Alternativa në një komunikatë për opinionin.

Duke mohuar shprehjen e lirë të asambleistëve të Alternativës në Gjakovë, dje ka filluar edhe mbledhja e radhës e Kuvendit Komunal, në të cilën ndër pikat tjera të rendit të ditës ishte dakorduar që të paraqitet edhe propozim vendimi për shfuqizimin e planit urbanistik “Gjakova 2005”, plan ky që është në kundërshtim me Ligjin për Planifikim Hapësinor dhe Ligjin për Trashëgimi Kulturore, e që në fakt në mënyrë të vazhdueshme cenon katër objekte në mbrojtje të trashëgimisë në pjesën historike dhe qendrore të qytetit të Gjakovës.

Asambleistët e Alternativës duke u bazuar në ndërtimet e fundit që po bëhen brenda perimetrit prej 50 metrave të objekteve si kulla “Sulejman Vokshi”, objekti i shkollës së parë shqipe “Mejtepe Ruzhdije” dhe objekti i shkollës së vjetër të muzikës, kanë argumentuar me fakte dy vendimet kundërthënëse të Institutit për Mbrojtjen e Monumeteve të Trashëgimisë Kulturore, rekomandimin me një nënshkrim të komisionit prej 7 anëtarësh për përcaktimin e perimetrit dhe neglizhencën e Komunës së Gjakovës ndaj konkluzionit 4 të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për ta drejtuar qështjen në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në lidhje me lejen e ndërtimit të një ndërtese shumëkatëshe në afërsi të objekteve nën mbrojtje. Përkundër të gjitha argumenteve propozimi i Asambleistëve të Alternativës u kundërshtua me shumicë votash duke e bërë kështu edhe Kuvendin Komunal të Gjakovës bashkëpunëtorë në shkeljen e dy ligjeve që garantojnë mbrojtjen e monumenteve të trashëgimisë kulturore.

Gjithashtu, në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal nga anëtarët e Alternativës është kërkuar edhe shqyrtimi i urdhëresës së kryetarit Ardian Gjini për pushim të detyrueshëm të bizneseve në ditët e festave, urdhëresë kjo që po dëmton sidomos bizneset e vogla në Komunën e Gjakovës dhe po paralizon jetën në ditët festive në këtë komunë.

Këshilltarët komunalë nga subjekti Alternativa kanë dhënë komentet e tyre edhe për mungesën e transparencës sidomos në kostot e projekteve të prezantuara në planin e Prokurimit për vitin 2020, si dhe kanë drejtuar kritika për Drejtorinë e Arsimit në veçanti për investimet kapitale nga kjo Drejtori.