Arbëri

Aktivistët shprehin brengën për mosveprimin e Komunës së Prizrenit rreth statusit të gjuhës rome

Descriptive Text

Këshilli i partive politike dhe i OJQ-ve të romëve në Prizren ka shprehur brengën për mungesën e veprimeve të qeverisë komunale lidhur me çështjen e njohjes së statusit të gjuhës rome, si gjuhë në përdorim zyrtar në këtë komunë. Ata kanë kërkuar që të ndërmerren hapa konkretë nga lidershipi komunal që kjo çështje të përmbyllet meqë, sipas tyre, bëhet fjalë edhe për një zotim paraelektoral. Ndërkaq zyrtarët e Ekzekutivit të Prizrenit kanë bërë të ditur se janë në shqyrtim të kapaciteteve të brendshme për përmbushjen e obligimeve që përcaktohen me legjislacion për të vazhduar më pas me hapat e mëtutjeshëm, deri në vendimmarrjen në Kuvendin e Komunës.

Aktivisti rom nga shoqëria civile, Osman Osmani, ka vlerësuar se “vazhdimësia e pranisë së gjuhës rome në Prizren ka bërë që komuniteti rom ta ruajë identitetin e vet”. “Prandaj kjo çështje është e rëndësishme për neve. Deri më tani kemi mbajtur takime të shumta me drejtuesit e Komunës, dhe gati çdoherë përgjigjja e përafërt ka qenë ‘po, ka gjasa të mbështetet’, por që zyrtarisht asnjëherë nuk është kthyer përgjigjja, qoftë ajo edhe negative”, ka thënë Osmani. Sipas tij, legjislacioni në fuqi përkufizon se anëtarët e komunitetit, gjuha e të cilëve është folur tradicionalisht në komunë, kanë të drejtë të kërkojnë që gjuha e tyre të njihet si gjuhë në përdorim zyrtar në komunë, pavarësisht nga përfaqësimi i tyre numerik brenda qytetarëve në komunë.

Këshilli i partive politike dhe i OJQ-ve të romëve, pjesë e të cilit është Osmani, në shkresën e fundit të dërguar te kryetari Mytaher Haskuka kanë përkujtuar se më 5 qershor 2018 kanë dorëzuar në Komunë kërkesën për njohjen e statusit të gjuhës rome, si gjuhë në përdorim zyrtar. Aty theksohet se në takimet e përbashkëta aktivistët romë kanë marrë përkrahjen për këtë temë. “Për fat të keq, ende nuk është ndërmarrë ndonjë hap konkret nga ana juaj në këtë drejtim. Ne, Këshilli…, jemi thellësisht të brengosur për mungesën e veprimeve konkrete nga ana juaj për njohjen e statusit të gjuhës rome, si gjuhë në përdorim zyrtar në Komunën e Prizrenit. Njohja e statusit të gjuhës rome, si gjuhë në përdorim zyrtar në Komunën e Prizrenit, është me rëndësi jetike për rreth tre mijë banorë të komunitetit rom që jetojnë në këtë komunë”, thuhet në shkresën e Këshillit…, ku theksohet se kjo çështje është ekzistenciale që ndikon në integrimin e plotë të komunitetit rom në jetën institucionale dhe publike në Komunën e Prizrenit. “Është çështje që ndikon në mbrojtjen, ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës, identitetit dhe kulturës rome në Komunën e Prizrenit”, thuhet në shkresën e dërguar muajin e shkuar. Aty kërkohet që Ekzekutivi lokal t’i iniciojë në afatin më të shkurtër kohor procedurat për njohjen e statusit të kësaj gjuhe, ngase në të kundërtën mungesa e veprimeve do të ishte në kundërshtim me zotimet elektorale, pastaj me premtimet dhe politikat e VV-së për integrimin e komunitetit rom, si dhe në kundërshtim me Strategjinë Kombëtare për Integrimin e komunitetit Rom dhe Ashkali.

Në anën tjetër, kabineti i kryetarit të Komunës së Prizrenit në përgjigjen me shkrim ka konfirmuar pranimin e kërkesës së Këshillit të partive politike dhe OJQ-ve të romëve për njohjen e statusit të gjuhës rome.

“Lidhur me këtë çështje fillimisht është kërkuar interpretim ligjor tek Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal për shqyrtim të ligjshmërisë së kërkesës, ndërsa më pas çështja është diskutuar edhe në mbledhjen e Komitetit për Komunitete. Komuna e Prizrenit është në shqyrtim të kapaciteteve të veta aktuale për përmbushjen e obligimeve që i përcaktohen me ligj dhe më pas do të vazhdohet me hapat e mëtutjeshëm, përfshirë edhe miratimin nga Kuvendi Komunal”, thuhet në përgjigjen e kabinetit të kryetarit.

Kërkesa për formalizimin e gjuhës rome si gjuhë në përdorim zyrtar në Prizren ishte dërguar edhe gjatë qeverisjes së kaluar. Ndërkohë te qeverisja aktuale është adresuar në qershor të vitit 2018. Pas kësaj, në tetor të vitit 2018 aktivistët romë përmes një deklarate patën paraqitur zotimin se për dy vjet, në mënyrë vullnetare, do t’i ofrojnë ndihmë Komunës së Prizrenit për zbatimin e obligimeve ligjore që lindin nga njohja e statusit të gjuhës rome si gjuhë në përdorim zyrtar.