Arbëri

Banorët e Gadimes me peticion kundërshtojnë dhënien e pronave komunale në shfrytëzim për gurthyesit

Descriptive Text

Banorët e fshatit Gadime të Komunës së Lipjanit të mërkurën kanë deponuar në këtë komunë një peticion me rreth 400 nënshkrime për ta kundërshtuar dhënien e pronave komunale në shfrytëzim për gurthyesit. Sipas banorëve komuna e Lipjanit dhe individët e caktuar nga ekzekutivi po insistojnë dhënien e dhjetëra hektarëve në shfrytëzim për kompanitë që merren me gurthyes.

Banorët janë ankuar se gurthyesit në këtë zonë po e degradojnë ambientin dhe njëkohësisht po ua dëmtojnë rrugët e fshatrave me makineri të rëndë, andaj dhënia e pronave komunale në shfrytëzim duhet të ndërpritet. Në peticionin e banorëve të Gadimes midis të tjerash thuhet se shumica po i kundërshtojnë vendimet e komunës për dhënien e pronave komunale në shfrytëzim për gurthyesit, raporton Koha Ditore.

“Ne si qytetar të Gadimes jemi kundër vendimeve të fundit për dhënien e tokave nga komuna e Lipjanit për gurthyes. Andaj kërkojmë nga kryetari i komunës Imri Ahmeti që t’i ndal këto dukuri shkatërruese kundër Gadimes. Jemi kundër shkatërrimit dhe dhënies në shfrytëzim të parcelave 01049-15, 01049-6, 01049-7 dhe 01049-11”, thuhet midis të tjerash në peticionin e banorëve.

Mujë Lekiqi, njëri ndër organizatorët e këtij peticioni ka thënë se gurthyesit në këtë fshat po e degradojnë ambientin, rrugët dhe njëkohësisht po dëmtohen edhe shtëpitë e banimit, andaj sipas tij, komuna nuk duhet t’i jep edhe parcela të tjera këtyre kompanive.

“Prej vitesh jemi në hall nga gurthyesit, ndërkohë komuna po synon t’ia zgjeroi parcelat këtyre gurthyesve të cilat po e degradojnë ambientin, natyrën, shtëpitë, rrugët etj. Kërkojmë që ankandet publike të komunës për dhënien e pronave në shfrytëzim të anulohen dhe të merren parasysh ankesat tona”, ka thënë Lekiqi. Po ashtu edhe bashkëfshatari i tij Kastriot Hashani, ka thënë se gurthyesit po e degradojnë kodrën e fshatit e cila ka një bukuri të rrallë natyrore. “Kërkojmë nga komuna që peticionet dhe kërkesat tona të merren parasysh nga kryetari dhe Kuvendi Komunal, në të kundërtën ne do të reagojmë edhe në të ardhmen”, ka thënë midis të tjerash ai.

Po ashtu bashkëfshatarëve të vetë të mërkurën i është bashkangjitur edhe Kuvendari i KK-së në Lipjan nga radhët e PDK-së Arxhend Tasholli, i cili ka thënë se individët e caktuar të ekzekutivit po synojnë që pronat publike t’i jepen në shfrytëzim një gurthyesi nga Ferizaj. Sipas tij, edhe në mbledhjet e fundit ka reaguar disa herë për t’i anuluar ankandet publike për dhënien e këtyre pronave në shfrytëzim, mirëpo kërkesat e tij nuk janë marrë parasysh nga ekzekutivi i komunës.

“Ne si banorë të Gadimes i’u drejtuam Kryetarit të Komunës Imri Ahmeti dhe Kryesuesit të Kuvendit Komunal Daut Azemi, me një peticion për ta kundërshtuar dhënin e parcelave komunale në shfrytëzim për gurëthyes. Bëhej fjalë për më shumë dhe dhjetë hektarë të cilat po synohej t’i jepen një kompanie nga komuna e Ferizajt. Personalisht edhe si kuvendar gjatë mbledhjeve të fundit isha kundër këtij fenomeni shkatërrues, që po ushtrohet nga të gjitha pushtetet kundër Gadimes”, ka thënë Tasholli.

Sipas tij, vota e opozitës në Kuvend për ta kundërshtuar ankandin e dhënies së këtyre pronave në shfrytëzim por edhe reagimet tjera të opozitës nuk janë marrë parasysh nga ekzekutivi. “Prandaj unë u detyrova që t’i bashkohem këtij aktiviteti të banorëve Gadimas. Edhe një herë ftoj kryetarin e komunës dhe kryesuesin e KK-së që ta shqyrtojnë peticionin e banorëve me rreth 400 nënshkrime dhe t’i shfuqizojnë vendimet për dhënien e pronave komunale në shfrytëzim për gurthyes”, ka kërkuar Tasholli.

Nga ana tjetër gjatë së mërkurës, kryetari i komunës së Lipjanit Imri Ahmeti nuk ka qenë të marrë një deklaratë rreth kësaj çështje. Ndërkohë kryesuesi i KK-së, Daut Azemi, ka thënë se do ta shqyrtojnë peticionin e banorëve megjithëse ende nuk i ka shkuar në zyrë nga sektori i administratës. “Ende nuk e kam unë këtë peticion, pra nuk ka ardhur ende. Ndërkaq, në momentin që vjen e shohim dhe e shqyrtojmë”, ka thënë shkurt Azemi nëpërmjet SMS-së.

Image