Arbëri

Llugaxhia e zgjidhjeve

Foto: Koha

Llugaxhiasit ngacmohen pa të keq prej miqve për punën e emrit të fshatit.

“Aa, neve shpesh na akuzojnë se e bani llugë”, qeshet Rabit Konjufca. “E kanë me humor”.

Rrënjët e fshatit datojnë në vitet e vuajtjeve të mëdha para e pas Kongresit të Berlinit të vitit 1878, kur mbi shtatëqind fshatra shqiptare do të dëboheshin nga rajoni jugor i Serbisë së sotme.

“Ka qenë një sipërfaqe përafërsisht sa territori i Kosovës”, shton Konjufca, ish-ushtarak e mësimdhënës i pensionuar, në oborrin e tij.

Stërgjyshërit muhaxhirë ishin vendosur fillimisht në Gadime para se të lëshoheshin në rrafsh në anën e majtë të magjistrales Ferizaj-Prishtinë. Të dëbuarit nga Serbia do t’i përvilnin menjëherë mëngët.

“Na jemi vendosur diku mbi Gadime, dhe pastaj kanë thënë: ‘Hajt dilni këtu’. Këtu ka qenë djerrinë, thera, kaça, murriza, shkurre me një fjalë, llugë, popullorçe llugë”, shton Konjufca.

“Tokë llugë”

“Sipas burimeve arkivore, por edhe të shkrimeve të bashkëvendësve tanë, Llugaxhia ka filluar të popullohet e ndërtohet në vitet 1878/80, kur edhe po ndodhnin dyndjet e dhunshme dhe masive të shqiptarëve nga trojet e tyre stërgjyshore”, shkruan Abdullah Troshupa në monografinë “Zhvillimi i arsimit nëpër etapa kohore në Llugaxhi”, botuar më 2018. Aty tregohet se si Byqmetët, Tmavët dhe Konjufcët ishin vendosur të parët nëpër kasolle.

“Toka ku po fillonin jetën të shpërngulurit dhunshëm, ishte një tokë plot me shkurre moçalike e me plot drurë të egër dhe shavar, me një fjalë një tokë e papunuar, djerrinë dhe si e kishin zakon ta quanin banorët vendas, ‘tokë llugë’”.

Ky është rrëfimi që ta thotë shumëkush në fshat. Edhe Laura Tmavës, e cila studion dhe jeton në Londër, ia kanë përcjellë gojarisht gjyshërit këtë histori. Ajo thotë se vështirësitë do t’i kalitnin stërgjyshërit refugjatë

“Llugën” në fund të fshatit i kujton nga fëmijëria 84-vjeçari Vehbi Retkoceri, mësimdhënës i pensionuar. “Llugë i ka mbetë se llugë ka qenë, s’ka pasë shpia, këto lluga i kam mbërri edhe unë”, thotë ai.

Muhaxhirët do të përvilnin menjëherë mëngët. Djerrina ishte e pëlleshme, por duhej dhënë një dorë.

“Kur ka ardhur gjyshi këtu, ka thënë: ‘Eh, këtu qenka toka e mirë’”, tregon Konjufca, ish-pjesëtar i UÇK-së, TMK-së dhe FSK-së.

Tmava thotë se sfidat e mundimshme, llugaxhiasit do t’i kthenin në burim force.

“Dhe për këtë arsye, njerëzit e Llugaxhisë janë shumë punëtorë, të arsimuar dhe të avancuar, sepse kanë pasur shumë vështirësi me fillu jetën prej zeros”, thekson ajo. “Është dashur me punu qysh në atë kohë. Por tradita ende vazhdon”.

Lidhja e banorëve të fshatit fushor të Lipjanit me tokën shihet përgjatë pjesës së rrugës magjistrale që e përshkon Llugaxhinë përanash. Vetëm gjatë muajve të dimrit, tezgat e drunjta rrethohen me rrjeta të gjelbra të tejdukshme. Muajve të verës, stërmbushen me pemë e perime. Shumë familje sigurojnë jetesën prej traditës, së cilës kanë nisur t’i kthehen së fundmi. Banorët thonë se ka shumë të rinj të diplomuar që nuk po ia dalin të gjejnë punë në profesionet e tyre. Po i kthehen tokës.

“Gjithçka bahet këtu, veç rrushin që s’e kemi provu. Është tokë me rendiment të lartë”, thotë Konjufca.

Ka katër vëllezër e katër motra – të gjithë të diplomuar. Por asnjëherë nuk iu ndanë kultivimit të fushës. Është traditë e rrënjosur ndër breza.

“Jemi rritur dhe shkolluar me punë bujqësie”, shton ai.

Shkolla e 1924-s

Tmava nga Londra tregon një tjetër histori pleqsh për rëndësinë e shkollimit.

“Kish pasë thanë një plak i Gadimes këtu në Angli: ‘Llugaxhia të mençur, shitshin toka me u shkollu. Na gadimalitë ‘budallë’, blej toka e puno tokat’. Jam këput tuj qesh”, thekson ajo.

Llugaxhia do të hapte më 1924 shkollën e parë aneksin e xhamisë. Më 1941, kur në Kosovën Shqipëri do të vinin mësues nga Shqipëria, Llugaxhia kishte mësuesin e vet të fshatit, Isuf Islami. Po mësohej shqip. Më 1947, dhjetë llugaxhias do të shpërndaheshin nëpër pjesë të ndryshme të Kosovës për luftimin e analfabetizmit.

Megjithatë, pushteti jugosllav nuk do t’u besonte poste të larta.

“Kemi pasur shumë ballistë e nacionalistë gjatë Luftës së Dytë Botërore”, thekson Konjufca, duke shtuar se kishte njëfarë diferencimi tinëzar ndaj banorëve të fshatit. Por llugaxhiasit krenohen se si pjesë e shkollës amë të Banullës, kishin dalë të parët në nivel Kosove me suksesin e filloristëve.

Lidhjen me historinë e dëbimit nga trojet e veta do ta institucionalizonin kur bashkërisht vendosën që emrat e fshatrave të prejardhjes t’i bënin mbiemra. Sot fshati ka lagjet, si Byqmetët, Konjufcët, Magashët, Retkocerët e Reçicët.

“Kështu janë shumica e mbiemrave të lidhur me fshatrat që kanë qenë në Muhaxeri. Jemi zhvendosur këtu dhe pastaj ne i kemi marrë mbiemrat”, thotë Konjufca.

“Ndalimi” i martesave ruajti paqen

Retkoceri, mësimdhënësi që refuzon t’i referohen me “veteran arsimi” për shkak se nuk iu nda pension i plotë për rreth pesë dekadat e punës, thotë se pleqtë e fshatit ishin kujdesur me t’u vendosur në fshat për paqen e fshatit të ri heterogjen.

“Ka pasur njerëz të mençur që kanë prirë dhe katuni e ka ruajtur paqen, kojshillëkun”, thekson Retkoceri në oborrin e shkollës fillore, “Hasan Prishtina”, midis fshatit. “Pleqtë tanë kishin qenë më të mençum se na, po më duket, edhe pse shkollë s’kanë pasë, por mend kanë pasë. Edhe, ata martesë nuk kishin pas leju. Kështu që jemi ba kejt një familje”.

Me të njëjtën frymë, do të rrekeshin vullnetarisht më 1989 për ndërtimin e shkollës së re. Ishte viti kur Kosovës iu suprimua autonomia. 230 mijë marka gjermane do të mblidheshin nga banorët e fshatit.

“Ka pasur vajza që kanë hequr vathët e tyre për me kry shkollën”, tregon Konjufca. Por do të ndihmonin edhe llugaxhiasit mërgimtarë. Në kryeqytetin britanik është e përqendruar diaspora e fshatit.

“Jemi një komunitet shumë i madh dhe i organizuar në Londër që janë shkolluar dhe të cilët pastaj kanë dhënë një kontribut shumë të madh këtu në vitet nëntëdhjetë”, thekson Rabit Konjufca, i cili bashkë me Selatin Reçicën do të merrnin nismën për ndërtimin e shkollës së re, sikurse shkruan Troshupa, i cili kishte punuar si mësimdhënës në filloren “Hasan Prishtina”.

Llugaxhiasi shmangu krizën politike

Nga raftet e bibliotekës së shkollës, drejtoresha Drita Islami nxjerr ditarët e pluhurosur të viteve tetëdhjetë. Ndalet te ai i vitit shkollor 1989-90. Nuk i duhet të shfletojë shumë faqe për ta gjetur emrin e llugaxhiasit më të famshëm aktualisht. Me krenari tregon pesëshet e Glauk Konjufcës, ministrit të ri të Jashtëm të Kosovës. Konjufca shmangu krizën politike pas muajsh me negociata të dështuara ndërmjet LDK-së dhe VV-së. Dha dorëheqje nga posti i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, me të cilin post LDK-ja kushtëzonte marrëveshjen për qeverisje. Brenda ditës u ul në dy karrige postesh të larta shtetërore.

“Fillimisht ndihem shumë e privilegjuar dhe ndihemi shumë krenarë. Për Glaukun kemi fjalët më të mira të mundshme, edhe si nxënës, edhe si i ri, edhe tash si veprimtar, që neve me thanë të drejtën na ban shumë krenarë me të”, thekson Islami në zyrën e saj.

Rabit Konjufca, xhaxhai i tij, nuk është befasuar me vendimin e nipit të madh. I referohet me Uk.

“Glauku është shumë i gjerë në këtë aspekt. Nuk ka fije karrierizmi në shpirtin e tij. Glauku nuk ka energji negative”, thekson ai.

Retkoceri thotë e ka ditur paraprakisht se Glauk Konjufca do të lëshonte udhë për të shmangur krizën politike.

“Ai rrjedh nga fshati Llugaxhi dhe e ka ditur se nuk bën ndryshe, sepse bie poshtë si individ, edhe fshati bie poshtë nëse nuk e zgjedhin një problem madhor, sepse nuk është problem i fshatit, por problem madhor i Kosovës”.