Arbëri

Komuna e Pejës ia kalon “Ambientit” 25 punëtorët teknikë të mbetur pa punë

Foto: Koha

Punëtorët për shërbimin e pastrimit dhe larjes së rrugëve, si dhe mirëmbajtjen e sipërfaqeve të gjelbëruara në qytet, kanë mbetur nga fillimi i këtij muaji pa punëdhënës.

Megjithëse kontratat e tyre kanë skaduar në fund të muajit janar, ata kanë vazhduar të kryejnë punët që i kanë bërë në tre vjetët e fundit si punëtorë të operatorit privat, që ka qenë i kontraktuar nga Komuna e Pejës për këto shërbime. Mirëpo tash ata janë të shqetësuar se çka do të ndodhë, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Jemi 25 punëtorë, prej tyre 15 jemi të mirëmbajtjes së gjelbërimit të qytetit e 10 punëtorë të tjerë janë të pastrimit të rrugëve. Rrogën e janarit e kemi marrë, por e kemi hallin se çka do të ndodhë me neve, sepse nuk jemi tash me askënd. Operatori e ka kryer kontratën trevjeçare dhe nuk ka asnjë obligim ndaj neve. Edhe uniformat ia kemi kthyer. Por punën që e kemi bërë deri tash po vazhdojmë ta bëjmë, se Komuna na ka thënë që me vazhdua secili prej nesh me punua të njëjtën punë si deri më tash. Tash jemi në ankth se shumica prej nesh kemi edhe kredi dhe po presim nga Komuna me vendos diçka për neve”, shpreh punëtori i mirëmbajtjes së gjelbërimit të qytetit, Berat Mulliqi, shqetësimin e vet dhe të kolegëve të tij.

E në Komunë pohojnë se ata nuk kanë nevojë të mbajnë dert, pasi, sipas Komunës, ata do të transferohen në kompaninë rajonale të mbeturinave “Ambienti”.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)