Arbëri

Erërat shkaktuan dëme të mëdha në Istog, qyteti ka mbetur pa rrymë e pa ujë të pijes

Bajram Metajt, erërat e forta ia kanë hequr çatinë e shtëpisë, në të cilën banon bashkë me familjen e tij.

Metaj thotë se gjatë mbrëmjes të së mërkurës kanë qëndruar në bodrumin e shtëpisë pasi janë frikësuar.

Dëme të mëdha ka pasur në të gjithë Komunën e Istogut, e banorët atje thonë se nuk mbajnë mend intensitet kaq të lartë të erërave si kësaj here, raporton KTV.

Pothuajse secila shtëpi ka çatinë e dëmtuar. Nëpër rrugë, gjithandej, shihen kabllo të energjisë elektrike e shtylla të rrëzuara. Veç kësaj, edhe shumë biznese e vetura private kanë pësuar dëme nga këto erëra.

Ekipet emergjente të komunës, fillimisht, janë duke bërë vlerësimin e dëmeve nëpër institucione publike për të vazhduar pastaj me pronat private të banorëve të prekur.

Në këtë komunë është ndërprerë edhe energjia elektrike, por edhe furnizimi me ujë të pijes.

Kjo komunë, por edhe ajo e Pejës e Klinës, për shkak të shtrirjes së tyre gjeografike, gjithmonë janë më të prekurat prej erarëve të forta.