Arbëri

Vezir Januzi pritet të jetë kandidati i LDK-së për kryetar të Podujevës

Vezir Januzi është emri më i diskutuar në strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës për t’u kandiduar për kryetar të Podujevës, në zgjedhjet e jashtëzakonshme pas largimit të Agim Veliut.

Siç mëson Koha Ditore, në LDK tashmë është diskutuar për të gjetur një pasues të Veliut i cili la Podujevën në gjysmën e mandatit të tretë, për t’u bërë ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë Kurti. Emri më i përfolur dhe që ka më së shumti shanse për të qenë kandidat ka rezultuar Januzi.

Agim Veliu e çon Podujevën në zgjedhje – qytetarët besojnë se fiton sërish LDK-ja

Januzi është drejtor i Bujqësisë, Pylltarisë e Zhvillimit Rural në Podujevë. Ai në të kaluarën ka qenë edhe zëvendësministër në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

LDK-ja ka udhëhequr me Podujevën që nga zgjedhjet e para të pasluftës. Në zgjedhjet e fundit, ato më 2017, Veliu fitoi 63.78 për qind në balotazh në garën me Ajet Poterën e Vetëvendosjes.