Arbëri

KQZ-ja paralajmëron se do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetar të Podujevës

Foto: Ilustrim

Komuna e Podujevës pritet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme për të zgjedhur kryetarin e ri, pasi qe Agim Veliu është zgjedhur ministër i Punëve të Brendshme.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është deklaruar lidhur me procesin e jashtëzakonshëm zgjedhor që pritet të shpallet së shpejti.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka deklaruar për Ekonomia Online se deri më tani nuk kanë ndonjë njoftim zyrtar lidhur me këtë çështje, ndërsa ka treguar se kur KQZ-ja fillon përgatitjen e një procesi zgjedhor.

“E kemi shpjeguar edhe në rastet e kaluara të ngjashme, pra në rrethana të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, KQZ-ja fillon përgatitjet instensive pasi të shpallet data e zgjedhjeve”, tha Elezi.

I pyetur se kur do të bëhet emërimi i anëtarëve të KQZ-së, pasi që kjo është e domosdoshme për organizimin e zgjedhjeve, Elezi tha se lidhur me procesin e emërimit të anëtarëve të rinj të KQZ-së përgjigje mund të japin në Presidencë.

Se sa do të kushtojnë këto zgjedhje, Elezi nuk dha ndonjë shifër pasi tha se planifikimi do të bëhet me kohë.

“Viti 2020 nuk është vit zgjedhor. Pra për çfarëdo procesi të mundshëm zgjedhor gjatë këtij viti, KQZ-ja nuk ka mjete të planifikuara për zgjedhje. Ashtu siç kemi vepruar edhe në të kaluarën, pra në raste të ngjashme, KQZ-ja bën planifikimin dhe kërkesën buxhetore e përcjellë në Qeverinë e Kosovës”, deklaroi Elezi.