Arbëri

Rinovimi i objektit të Pylltarisë, peng i ndryshimit të Ligjit Pyjor

Objekti i administratës në Pejë të ish- ndërmarrjes shoqërore Ekonomia e Pyjeve, megjithëse i dëmtuar nuk po mund të rinovohet, shkaku i ndryshimit të Ligjit Pyjor.

Kjo gjendje në të cilin gjendet ky objekt i pylltarisë, i cili menaxhohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, me vite është i pandryshueshëm.

Kur është formuar Agjencioni Pyjor, ky objekt ka mbetur si aset i ndërmarrjeve shoqërore, konkretisht ndërmarrjes shoqërore Ekonomia Pyjore.

“Nga Agjencia Kosovare e Privatizimit kemi kërkuar që të na lejojë ta rinovojmë objektin. Unë e kam dërguar edhe vjet kërkesën që me bë rinovimin e objektit, por nuk na ka lejuar Agjencia Kosovare e Privatizimit”, thotë Ibish Blakaj, drejtor i Agjencionit Pyjor të Kosovës për rajonin e Pejës.

Ky objekt, siç pohon Blakaj, ishte futur në listat e privatizimit nga dikush që ka pas interesa për këtë lokacion ku është objekti, sepse vend më të mirë në Pejë për privatizim siç thotë ai, se ky ku është objekti, afër Stacionit të Autobusëve në Pejë, nuk ka.

“Por, duket se dikush ka pas interes për këtë truall prej rreth 11 ari ku është ky objekt”, thotë Blakaj.

Ai shpreson se me ndryshimin e ligjit për pyje, ky objekt do të kalojë në pronësi të Agjencionit Pyjor të Kosovës. “Me draft ligjin e ri që ka kaluar në qeverinë në shkuarje, kaloi edhe në Parlament për miratim, që objekti me kalua në pronësi të Agjencionit Pyjor, por mbet pa miratua ai draft, sepse u shkua në zgjedhje dhe tash po presim Parlamenti i ri me miratua atë draft ligj, që objekti me kalua në emër të Agjencionit Pyjor të Kosovës, e pastaj me fillua me meremetim të objektit”, thotë Blakaj.

Për këtë objekt, Koha Ditore ju ka drejtuar Agjencionit Kosovar të Privatizimit, sipas të cilit objekti i Ekonomisë Pyjore në Pejë, që është duke u shfrytëzuar pa qira nga Agjencioni Pyjor i Kosovës, aktualisht është në listën e aseteve të Ndërmarrjeve Shoqërore.

“Agjencioni Kosovar i Privatizimit ka kërkuar disa herë përmes shkresave zyrtare nga Agjencia Pyjore e Kosovës që të hyjnë në marrëveshje qiraje, mirëpo të njëjtit janë përgjigjur që Agjencioni Pyjor i Kosovës kërkon edhe më tej që ky objekt të shfrytëzohet deri me ndryshimin e Ligjit të Pyjeve, që nënkupton bartjen e pronësisë së këtij objekti në pronësi të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, që gjithashtu i referohen Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar në mes të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për shfrytëzim të aseteve jo pyjore”, thuhet në përgjigjën e dërguar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

© KOHA Ditore