Arbëri

Obiliqi synon shërimin e tokave nëpërmjet projektit të Bankës Botërore

Descriptive Text

Komunarët e Obiliqit po synojnë shërimin e tokave nga kontaminimi dhe rehabilitimin e tyre. Ky projekt pritet të zhvillohet nga Banka Botërore. Në njoftimin e kësaj komune thuhet se kryetari Xhafer Gashi të hënën ka pritur në takim përfaqësuesit nga Banka Botërore për të diskutuar për këtë çështje.

“Kryetari i Komunës Xhafer Gashi, ka pritur sot në takim përfaqësues nga Banka Botërore të udhëhequr nga z. Diego Garrido Martin. Në këtë takim u prezantua projekti i cili do të zhvillohet nga Banka Botërore i quajtur Healing mission (Shërimi i tokave për të ardhmen në Kosovë), i cili parasheh rehabilitimin e tokave të kontaminuara si dhe u diskutua për mundësitë e zhvillimit të këtij projekti, afatin kohor të zhvillimit dhe procesin e rikategorizimit të këtyre toka pas rehabilitimit”, thuhet në njoftimin e Komunës së Obiliqit.

Sipas të njëjtit njoftim, kryetari Gashi ka mirëpritur këtë projekt, pasi territori i Komunës së Obiliqit përfshin një numër të madh të këtij lloji të tokave si pasojë e veprimtarisë së KEK-ut. Kryetari i Obilqit nëpërmjet këtij njoftimi ka theksuar se Komuna e Obiliqit do përkrah në vazhdimësi zhvillimin e këtij projekti, siç e ka quajtur ai, mjaft i rëndësishëm për Obiliqin përmes të cilit mund të ndikojë në rritjen e tokave bujqësore, por edhe në rritjen e tokave të gjelbëruara.

“Në të njëjtën kohë, gjatë këtij takimi kryetari Gashi njoftoi përfaqësuesit nga Banka Botërore, për projektet që janë realizuar dhe do të realizohen për këtë vit në Komunën e Obiliqit në theks të veçantë projektet në fushën e mjedisit si dhe projekti i koogjenerimit një projekt madhor për qytetarët e Obiliqit. Të dy palët u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit me qëllimit të realizimit të projekteve në shërbim të komunitetit”, përfundon njoftimi.