Arbëri

Pasi u lejua restaurimi, hapet për besimtarët xhamia 400-vjeçare e Pejës

Pas shumë mosmarrëveshjeve në mes institucioneve dhe BIK-ut në Pejë, në lidhje me investimet në xhaminë ‘Taftali’ në Pejë, ajo ka disa javë që është hapur për besimtarët.

Në këtë xhami, e cila konsiderohet se është e vjetër rreth 400 vjeçe, Këshilli i Bashkësisë Islame e kishte filluar punën për renovimin e dyshemesë muaj më parë pa marrë ndonjë leje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, e për të cilën gjë edhe ishin ndërprerë punimet, raporton KTV.

Ndonëse nga ky institut kishin deklaruar se një leje për renovim të kësaj xhamie nuk do të jepet, rreth një muaj më vonë, një leje e tillë u ishte dhënë zyrtarëve të BIK-ut, por me kushtin që pjesa antike e xhamisë të mbetej e pandryshuar.

Pas inspektimeve që janë bërë nga ky institut, është konstatuar se gjendja e xhamisë është e mirë dhe se mund të hapet për qytetarët.

Imami i kësaj xhamie, Gazmir Sahara ka treguar për investimet që janë bërë aty.

KTV-ja ka kontaktuar edhe me kryesinë e Bashkësisë Islame në Pejë, por ajo nuk ka qenë e qasshme, derisa krye-imami, Enes Goga, ka thënë se nuk është kompetent të flasë për këtë çështje.

Sipas imamit, investimet në këtë xhami janë bërë nga vetë besimtarët, të cilët e vizitojnë objektin fetar dhe se shuma e shpenzuar në investime është rreth 4 mijë euro.