Arbëri

Vetëm 49 nxënës në një gjimnaz në fshatin Zhegër të Gjilanit

Komuna nuk do të investojë në ndërtimin ose renovimin e objektit shkollor në fshatin Zhegër për shkak të numrit të vogël të nxënësve.

“Zenel Hajdini” i cili funksiononte me paralele të ndara në këtë fshat ka pushuar veprimtarinë dhe nxënësit tani vijojnë procesin mësimor në qytet. Vetëm shkolla e mesme ekonomike “Marin Barleti” vazhdon të funksionojë me paralelet e ndara në këtë fshat dhe procesin mësimor e vijojnë 49 nxënës.

Këshilli i fshatit Zhegër janë të bindur se me këtë numër të nxënësve nuk mundet të funksionojë procesi mësimor dhe se kërkojnë nga komuna që të gjendet një zgjidhje për transportin dhe nxënësit të transferohen në shkollat e qytetit. Shprehen se në fshatin e tyre nuk do të ketë më shkollë të mesme meqë objekti i vjetër nuk plotëson kushtet por edhe nxënësit dëshirojnë që të vijojnë procesin mësimor në shkollat e qytetit ngase dëshirojnë një integrim më të mirë në shoqëri. Në anën tjetër drejtoria e arsimit deklaron se nuk kanë mjete financiare që të ndërtojnë një shkollë të re. Drejtori i arsimit, Nazim Gagica deklaron se nxënësit dëshirojnë që të vijojnë procesin mësimor në shkollat të cilat gjenden në qytet, raporton Koha Ditore.

“Është një numër i vogël i nxënësve në atë shkollë. Kemi bërë me kohë kërkesat në Ministri për investime mirëpo tani kemi problemin se nuk ka mbetur më nxënës. Ka mbetur një paralele e ndarë e shkollës së mesme “Marin Barleti” përderisa Gjimnazi këtë vit shkollor nuk kanë paralele atje. Kërkesa e prindërve dhe nxënësve është që të vijojnë procesin mësimor në qytet” ka thënë ai.

Ndërsa zyrtari i shkollës së mesme “Marin Barleti”, Fadil Latifi deklaron se ata nuk kanë mbyllur paralelet në fshatin Zhegër meqë në gjë e tillë është kërkuar nga një pjesë e prindërve. Ai deklaron se në rast se do të kishte një vullnet nga komuniteti atëherë do të mbylleshin paralelet dhe nxënësit do të vijonin procesin mësimor në qytet.

“Kanë bërë kërkesë tek kryetari i komunës që të mos mbyllen paralelet. Njëra nga arsyet është edhe transporti i nxënësve ngase nuk dëshirojnë që fëmijët e tyre të udhëtojnë. Kushtet nuk janë të mira në atë shkollë ku vijojnë procesin mësimor këta 49 nxënës. Nuk është problemi i numrit sepse nëse vendosin për transferim atëherë shumë lehtë i absorbojmë ata nxënës i shpërndajmë nëpër paralele dhe nuk merret vesh” ka thënë Latifi.

Kurse drejtori i Gjimnazit “Zenel Hajdini”, Sami Hoxha deklaron se ata kanë mbyllur paralelet në fshatin Zhegër për shkak të numrit të vogël të nxënësve. “Shumica e nxënësve janë regjistruar në qytet dhe na kishte mbetur vetëm klasa e 12 domethënë një paralele dhe me një paralele nuk kemi mundur të organizojmë procesin mësimor. Dhe kemi vendosur që nxënësit të transferohen në Gjilan. Nuk funksionojmë me paralele në fshatin Zhegër” ka thënë ai.

Kurse kryetari i këshillit të fshatit Zhegër, Muhadin Haziri kërkon nga drejtoria komunale që të gjendet një zgjidhje për 49 nxënës të cilët vijojnë procesin mësimor në një objekt të vjetër i cili nuk plotëson kushtet. Ai deklaron se nxënësit duhet të transferohen në shkollat e qytetit mirëpo për këtë duhet të gjendet një zgjidhje për transport.

“Shumica e prindërve të cilët kanë kundërshtuar transferimin e nxënësve në shkollat e qytetit janë me gjendje ekonomike jo të mirë. Dhe shkaku ka qenë i transportit. Mirëpo ekziston një linjë e autobusëve në fshatin Zhegër dhe ata funksionojnë në territorin e Gjilanit dhe është mirë që drejtoria e arsimit të ketë një marrëveshje me ta dhe të bëjë të mundur që këta nxënës të transportohen në shkollat e qytetit. Sepse jemi të bindur se funksionimi i paraleleve është i pamundur në fshat. Sepse edhe nxënësit e krijojnë atë autonominë e tyre por edhe mësimdhënësit dhe kështu krijohen telashe. Më mirë është në qytet” thotë ai.