Arbëri

Në dy shkolla të Kamenicës bojkotohet mësimi

Në të gjitha shkollat e Kosovës, përveç në fshatin Koretin dhe Topanicë të Kamenicës, ka nisur të hënën gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor 2019/2020. Prindërit e këtyre dy fshatrave nuk i kanë lejuar fëmijët të shkojnë në shkolla të fshatrave tjera ashtu siç ka paraparë Komuna e Kamenicës, shkruan sot Koha Ditore.

Nga e hëna në këtë komunë ka nisur faza e dytë e reformave në arsim. Kjo fazë parasheh që nxënësit e nivelit parashkollor deri tek ata të klasës së pestë të shkollës “Rexhep Mala” të Topanicës të kalojnë në shkollën “Abdullah Krashnica” në Koretin.

Ndërsa nxënësit e ciklit të lartë të të dyja shkollave mësimin ta vijojnë në shkollën e fshatit Topanicë. Për shkak të numrit të vogël të nxënësve, nga shtatori në këtë komunë ka nisur riorganizimi i mësimit ku nxënësit e disa shkollave po bëhen bashkë e disa shkolla tjera po mbyllen. Kjo reformë po kundërshtohet nga banorët e Kamenicës. Komuna e Kamenicës u ka bërë thirrje prindërve që ta respektojnë vendimin për reforma në arsim.

Kryetari i fshatit Topanicë, Mumin Zubaku, ka deklaruar se autobusët që kishin shkuar të hënën t’i merrnin nxënësit janë kthyer mbrapsht. Është zotuar se prindërit nuk do të lejojnë që fëmijët të ndjekin mësim në një fshat tjetër.

“Shumica e prindërve janë kundër që fëmijët të dërgohen në ndonjë shkollë tjetër. Meqë ne kemi investuar në shkollën e fshatit për këta nxënës, ata po tentojnë t’i dërgojnë në një shkollë tjetër. Do të vazhdojmë kundërshtimin tonë pavarësisht çmimit”, ka theksuar ai.

(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në gazetën “Koha Ditore”)