Arbëri

Koretini e Topanica, fshatrat e radhës që e refuzojnë reformën e arsimit në Kamenicë

Derisa nxënësit presin para dyerve të shkollës “Abdullah Krashnica” për të filluar mësimin, klasat e kësaj shkolle në fshatin Koretin të Kamenicës, janë të zbrazura.

Kjo për shkak se në këtë shkollë mësimi nuk u mbajt pas refuzimit të prindërve të fshatrave Koretin e Topanicë, për të respektuar reformën arsimore në këtë komunë, raporton KTV.

Sipas prindërve të fshatit Koretin, reforma e vendosur nga Komuna e Kamenicës i dëmton ata dhe rrezikon fëmijët e tyre, ndërsa kanë nënshkruar edhe një peticion për ndërprerjen e reformës.

Ndonëse nga komuna u angazhua autobusi për bartjen e fëmijëve në të dyja fshatrat, në shkollën e Koretinit, nuk erdhi asnjë prej nxënësve të shkollës “Rexhep Mala”.

Sipas Merita Keqmezit - Drejtoreshë e SHFMU “Abdullah Krashnica” në Koretin, në shkollë përveç nxënësve që nuk erdhën, refuzoi të vijë edhe stafi i mësimdhënësve nga Topanica.

Ndërsa, drejtori i shkollës “Rexhep Mala’’ të Topanicës, Qazim Morina, nuk ka pranuar të flasë para kamerës për këtë refuzim.

Me gjithë kundërshtimin e reformës nga ana e prindërve, Drejtoria e Arsimit në Komunën e Kamenicës përmes një përgjigjeje i kanë thënë KTV-së se ajo nuk do të tërhiqet, derisa do të merren masa edhe për mësimdhënësit e Topanicës.

“Ne nuk tërhiqemi nga asnjë veprim e vendim që bëhet në dobi të nxënësit. Ligjërisht, ndjekja e mësimit të obligueshëm është përgjegjësi kryesore e prindit. Prandaj, ftojmë prindërit të reflektojnë dhe ta zbatojnë vendimin e Komunës. Sa i përket mësimdhënësve, ne do të marrim masa të menjëhershme siç edhe parashihet ligjërisht dhe nuk do të presim sikur në rastin e mëparshëm. Me vetë Kontratën Kolektive parashihet që për tri ditë mungese nga puna pa arsye, marrëdhënia e punës ndërpritet”, ka thënë Mirhane Morina, nga Drejtoria e Arsimit në Kamenicë.

Reforma e arsimit në Komunën e Kamenicës filloi me 1 shtator të 2019-s, mirëpo u kundërshtua që nga fillimi prej shumicës së banorëve të fshatrave që u prekën nga kjo reformë.