Arbëri

Bahtiri i vendosur për zbatimin e Ligjit kundër duhanit në Mitrovicë

Drejtuar nga kryetari i komunës, Agim Bahtiri, dhe nënkryetari, Faruk Mujka, sot është mbajtur mbledhja e radhës e Bordit të Drejtorëve, ku janë diskutuar disa pika të rendit të ditës, që janë me interes për qytetarët e komunës së Mitrovicës.

Fillimisht drejtori për Financa dhe Zhvillim Ekonomik, Shukri Gashi, ka njoftuar ekzekutivin lidhur me inkasimin e të hyrave vetjake për vitin 2019 në Komunën e Mitrovicës, me ç’ rast krahasuar me vitin 2018, Komuna ka pasur rritje prej 15,20% (apo 304,189.32 euro), ndërsa sa i përket planifikimit për vitin 2019 ka arritur t’i realizojë 93,56% të planifikimit apo ka inkasuar 2,305,615.56 euro, ndërkaq inkasimi i të hyrave vetjake në vitin 2018 ishte 2,001,426.24 euro.

Në këtë mbledhje, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik të qytetarëve, kryetari Bahtiri kërkoi nga Drejtoria e Inspeksionit të zbatojnë Ligjin për Kontroll Duhani në të gjitha subjektet afariste, në të kundërtën do të merren masa ndëshkuese përmes shqiptimit të gjobave.

Në fund drejtori për Arsim, Egzon Jashari, theksoi se janë bërë të gjitha përgatitjet adekuate për fillimin me sukses të gjysmëvjetorit të dytë për institucionet edukativo-arsimore në Mitrovicë.