Arbëri

Komuna e Malishevës pezullon vendimet për operimin e gurëthyesve

Kuvendi i Komunës së Malishevës sot ka mbajtur mbledhjen e radhës, e cila ishte shtyrë dy herë gjatë muajit dhjetor.

Kuvendi Malishevës, në këtë mbledhje të drejtuar nga kryesuesi i Kuvendit Rrahim Morina, ka marrë vendim për pezullimin e të gjitha vendimeve dhe pëlqimeve për operimin kompanive të gurëthyesve në territorin e kësaj komune.

Siç bëhet e ditur për media, po ashtu në këtë vendim, Kuvendi Komunal i Malishevës, ka kërkuar nga organet përgjegjëse që të marrin masa për revitalizimin e hapësirave të degraduara nga gurëthyesit, si dhe në të ardhmen, pëlqimet dhe vendimet në kërkesat e operatorëve për këtë veprimtari t’i lëshojë Kuvendi i Komunës.

Vendimi i Kuvendit të Komunës, është marrë pas shqyrtimit të peticioneve të fshatrave Bellanicë, Turjakë dhe Panorc, lidhur me përgatitjet për operim të gurëthyesve në afërsi të fshatrave.