Arbëri

KDI: Tetë shkolla të Gjilanit me ujë të kontaminuar

Në tetë shkolla fillore të Komunës së Gjilanit që furnizohen me ujë nga puset është gjetur se uji është i kontaminuar në aspektin kimik dhe bakteriologjik dhe këto të dhëna janë nga analizat të cilat janë siguruar nga Qendra Rajonale e Shëndetësisë Publike në Gjilan.

Uji është i papërdorshëm për pije në shkollën fillore “Liria” në fshatin Pogragjë, në shkollën “Agim Ramadani” në fshatin Lladovë, në shkollën “Vesel Muji” në fshatin Ponesh, në shkollën “Ibrahim Uruqi” në fshatin Bresalc. në shkollën “Vesel Muji” në fshatin Mihir, në shkollën fillore “Esat Berisha” në fshatin Llashticë, në shkollën “Nazim Hikmet” në fshatin Dobërqan dhe në shkollën fillore “Skënderbeu” në fshatin Kmetoc.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) vlerëson se në bazë të hulumtimeve në terren rezulton se kontaminimi i ujit është rezultat i vjetërsisë së filtrave të ujit dhe mosmirëmbajtjes së puseve.

Numri i nxënësve që vijojnë mësimin në këto 8 shkolla është 1 mijë e 317 nxënës. KDI ka mbajtur një takim javën e kaluar me zyrtarët komunalë dhe me drejtorët e shkollave. Në këtë takim zyrtari nga drejtoria e shëndetësisë, Veton Uka, ka thënë që disa shkolla furnizohen nga bazenet, ndërsa kapakët e betonit me të cilët mbulohen këto bazene nuk janë të cilësisë së duhur. Uka ka theksuar që sidomos gjatë sezonit të vjeshtës ndodh depërtimi i bakterieve në këto bazene duke shkaktuar kontaminimin e ujit.

 (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)