Arbëri

Ndërtimi i rrugës transitore në Klinë peng i moshartimit të projektit final

Ka qenë njëri prej premtimeve kryesore gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale 2017 të kryetarit të Komunës së Klinës, Zenun Elezaj.

Mirëpo, rruga transitore që do ta shkarkonte qytetin e Klinës nga komunikacioni i dendur i të gjitha llojeve të automjeteve as që është gati të nisë të zbatohet në praktikë, megjithëse viti 2018 ka qenë i shënjestruar si vit i nisjes së punimeve në këtë projekt. Elezaj e ka të qartë premtimin që ka dhënë, por sipas tij ky projekt kapital mbi pesë milionësh, nuk po varet nga ai e as nga Komuna e Klinës.

Kreu i Klinës kishte shpresuar se vitin e kaluar do të niste projekti, pasi gushtin e vitit të kaluar projekti ka qenë në fazën e hartimit nga Ministria e Infrastrukturës, si financuese e këtij projekti, megjithëse fillimisht ishte menduar që të financohet në bashkëfinancim me Komunën, shkruan sot “Koha Ditore”.

As nuk ka nisur vitin e kaluar e as që do të nisë as sivjet, edhe pse Elezaj kishte besuar që në tetorin e sivjetmë do të shpallet së paku tenderi për këtë projekt për ndërtimin e rrugës transitore tetë kilometra të gjatë, prej lokacionit kur lidhën rrugët magjistrale Pejë – Prishtinë me atë për në Gjakovë, deri në anën tjetër të Klinës mbi zonën industriale, ku kjo transitore do të lidhet me rrugët për në Istog dhe Skenderaj.

Traseja e transitit parashihet të lidhet te udhëkryqi i Gremikut, ku do të nisë transiti dhe i afrohet vendit Jarina, që është një pjesë te gryka e Lumit Klina dhe lidhet në verilindje të qytetit me rrugën e Skenderajt. Rruga është planifikuar të shtrihet në pjesën veriore të qytetit, ku ka më pak banim dhe lidhet me rrugën e Istogut. Prej rrugës magjistrale Pejë-Prishtinë e deri te Lumi Klina, konkretisht deri afër rrugës së Skenderajt, rruga planifikohet të jetë me katër korsi.

Në atë pjesë afër rrugës së Skenderajt planifikohet të ndërtohet një urë, si dhe një rrethrrotullim, nga ku ndahen rrugët për Skenderaj dhe për Istog. Eelzaj, pavarësisht se çka ka ndodhur që një vit me këtë projekt, prapë beson dhe shpreson se Ministria e Infrastrukturës mban premtimin e saj që deri të hënën të bëhet projekti final dhe që Komuna së paku në fillimin e vitit 2020 të mund ta nisë procedurën tenderuese për ndërtimin e transitit të shumëpritur edhe nga qytetarët e Klinës.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)