Arbëri

PDK-ja konteston vendimin e kryetarit për ndalimin e fishekzjarrëve

Një vendim i kryetarit të Komunës së Lipjanit Imri Ahmeti, për ndalimin e përdorimit të fishekzjarrëve gjatë festave të fundvitit ka nxitur reagimin e subjektit më të madh opozitar (PDK) në këtë komunë.

Sipas opozitës vendimi i kryetarit Ahmeti është i paqartë me arsyetimin se ndalon gjuajtjen e fishekzjarrëve edhe në natën e ndërrimit të moteve. Nëpërmjet një komunikate, ky subjekt ka thënë se kryetari Ahmeti me këtë vendim të pasqaruar ka treguar paditurinë e tij, shkruan sot Koha Ditore.

“Kryetari i ekzekutivit të Lipjanit, Imri Ahmeti, gjatë ditës së sotme ka nxjerrë një vendim të paqartë dhe të paanalizuar mirë derisa ka ndaluar gjuajtjen e fishekzjarrëve gjatë festave të fundvitit. Mirëpo, në këtë vendim nuk e ka specifikuar se gjuajtja e fishekzjarrëve lejohet të ndodhë për një periudhë të caktuar gjatë ndërrimit të moteve siç lejohet në të gjithë botën. Sipas këtij vendimi, kryetari Ahmeti ka njoftuar se qytetarët nuk kanë të drejtë të ndezin fishekzjarrë as në natën e ndërrimit të moteve, që nënkupton se festat e fundvitit përfundojnë më 3 ose 4 janar të vitit të ardhshëm”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Sipas tyre, me këtë vendim, kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, është treguar i padijshëm dhe jo i qartë, sepse në raste të tilla duhet të merren formatet e njëjta që i bëjnë komunat e tjera të Kosovës.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)