Arbëri

Shoqëria civile kërkon miratimin e Rregullores për këshillat e fshatrave të Podujevës

Descriptive Text

Një grup organizatash joqeveritare po kërkojnë nga kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, që ta procedojë në Kuvend për miratim një rregullore, që ka të bëjë me këshillat e fshatrave e lagjeve.

Nëpërmjet një shkrese dërguar të parit të Komunës e që është nënshkruar nga përfaqësuesi i rrjetit të organizatave “Demokracia Fillon Këtu”, thuhet se për më shumë se një vit draft-rregullorja për organizimin, bashkëpunimin e Komunës me fshatra, vendbanime dhe lagjet urbane ka qenë në diskutim publik. Por, nga ajo kohë, nuk është bërë asgjë, shkruan sot Koha Ditore.

“Ne si rrjet i organizatave kemi monitoruar nga afër punën e Kuvendit Komunal të Podujevës, aktivisht nga janari 2019 dhe deri më tani, dhe gjatë kësaj kohe kemi parë se njëra nga rregulloret më të rëndësishme, e cila rregullon mënyrën e bashkëpunimit mes të fshatrave, lagjeve dhe vendbanimeve të komunës tonë ‘Rregullorja për organizimin dhe bashkëpunimin e Komunës me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane në territorin e Komunës së Podujevës’ edhe pse ka dalë në diskutim publik tani e një kohë të gjatë me vendimin e Kuvendit nr. 01-020/08-0060972/18 të datës 31 korrik 2018, asnjëherë nuk ka shkuar në Kuvend për miratim”, thuhet në shkresën e shoqërisë civile.

Në të njëjtën shkresë thuhet se si OJQ kanë dërguar komentet për këtë draft-rregullore brenda afatit ligjor gjatë diskutimit publik, por siç thuhet aty, asnjëherë nuk kanë marrë një njoftim nëse të njëjtat janë pranuar ose jo. Zyrtarët e DFK-së, deri tash nuk kanë marrë asnjë njoftim as pse nuk është proceduar në Kuvend kjo draft-rregullore për miratim.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)