Arbëri

Nesër, nga 9:00-21:00, disa pjesë të Fushë-Kosovës dhe të Ferizajt do të mbesin pa rrymë

Foto: Ilustrim

KEDS-i ka njoftuar se një numër i madh i banorëve të Fushë-Kosovës dhe të Ferizajt do të mbesin pa rrymë nga ora 9 e mëngjesit deri në orën 21:00.

Shkyçja do të bëhet në daljen “Apollonia” dhe në tri dalje tjera në Ferizaj, kurse KEDS-i thotë në këto dalje se ka një numër të madh të konsumatorëve.

“KEDS-i po e bën këtë për përfitime afatgjata të konsumatorëve dhe për shkak të specifikës së punimeve nuk ka ndonjë alternativë tjetër. Kompania i siguron konsumatorët që do të bëjë maksimumin që të kryhet sa më shpejt”, ka thënë zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.

“KEDS është duke investuar fuqishëm në rrjetin e tensionit të mesëm si në Fushë Kosovë, ashtu edhe në Ferizaj, duke përfshirë linjën 35 kilovolt. Kjo, pasi kjo pjesë e Fushë Kosovës është zona me rritjen më të madhe në nivel vendi. Si rrjedhojë, vazhdimisht janë paraqitur mbingarkesa të cilat kanë pasur për pasojë ndërprerjet e dhunshme të energjisë elektrike. Deri tek këto mbingarkesa ka ardhur pasi kapacitetet transmetive të KOSTT-it, pra të Tensionit të Lartë, janë të pamjaftueshme. Por, për shkak se kjo kompani nuk po investon, atëherë këtë është detyruar ta bëjë KEDS-i në mënyrë që të mos këtë ndërprerje të vazhdueshme apo pamundësi për furnizim me energji elektrike. Investimi është në përfundim e sipër dhe pritet të përfundohet sivjet”, ka thënë Buzhala.

Sa i përket Ferizajt, Buzhala thotë se intervenimi është i domosdoshëm pasi gjendja e rrjetit të trashëguar në qytet ishte shumë e rëndë. “Por, KEDS i siguron edhe ferizajasit se këto investime po bëhen për përfitimin direkt të mijëra konsumatorëve”, përfundon Buzhala.